Kryeministri japonez Shinzo Abe nuk ka ndërmend t’i bëjë as lëshimin më të vogël Pekinit për sa i përket çështjes së ishujve të diskutueshëm Senkaku, që shtrihen në Detin e Kinës Lindore, për pronësinë mbi të cilat pretendon Kina. Ai deklaroi për këtë në një takim të mbajtur në Tokio me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

John Kerry nga ana e tij konfirmoi se Shtetet e Bashkuara përhapin mbi ishujt Senkaku fuqinë ligjore të marrëveshjeve të arritura me Tokion, të cilat e obligojnë Uashingtonin të mbrojë Japoninë në rast të ndonjë konflikti ushtarak. "Në qëndrimin tonë lidhur me garantimin e marrëveshjes mbi sigurinë nuk do të ketë asnjë ndryshim", - tha ai.