Kapiteni i tragetit të madh turistik “Costa Concordia”, të mbytur vitin e kaluar, Francesco Schettino, u paraqit para gjykatës në qytetin italian Grosseto, ku filluan seancat dëgjimore paragjyqësore në lidhje me çështjen e fundosjes së anijes.

Kapitenin duan ta gjykojnë për vrasje pa paramendim. Ai akuzohet gjithashtu për faktin se u largua nga anija përpara se të evakuoheshin të gjithë pasagjerët. Prokurorët shpresojnë po ashtu të nxjerrin përpara gjyqit disa nga anëtarët e ekuipazhit dhe menaxherin e kompanisë-pronare të anijes.

Më 10 prill gjykata italiane e obligoi kompaninë “Costa Crociere”, të cilës i përkiste anija, të paguajë një gjobë prej 1 milion euro.