Korporata Google ka rënë dakord të ndryshojë mekanizmin e funksionimit të motorit të vet të kërkimit. Këtë vendim kompania e mori me kërkesë të Komisionit Evropian. Për këtë njofton gazeta “The Financial Times” me referim tek burime të mirënjohura me çështjen në fjalë.

Hetimet kundër Google, në lidhje me dyshimet për konkurrencë jo të ndershme, filluan në Evropë në vitin 2010. Komisioni Evropian konstatoi se motori i kërkimit i jep preferencë shërbimeve të veta, duke vendosur në pozicione më të ulëta link-et e konkurrentëve të vet në Internet. Nëse nuk do të ishte arritur marrëveshja në fjalë, atëherë kompania Google do të detyrohej të paguante një gjobë me përmasa deri në 10% të të ardhurava të veta në vitin 2012.