Ushtarakët japonezë janë përgatitur për çdo zhvillim të ngjarjeve rreth Koresë së Veriut, deklaroi të premten Ministria japoneze e Mbrojtjes. Ky ishte reagimi i Tokios ndaj njoftimit të Agjencisë Qendrore Telegrafike të Koresë, sipas të cilit në rast lufte në Gadishullin Korean, Koreja e Veriut do të sulmojë në radhë të parë kryeqytetin japonez.

Të martën e kaluar Ministria e Mbrojtjes e Japonisë dislokoi në territorin e saj dy komplekse të mbrojtjes antiraket si dhe dërgoi në Detin e Japonisë shkatërrues (destroyers), të pajisur me sistemet e pikasjes dhe interceptimit të raketave “Aegis”.