I dërguari i Posaçëm i OKB-së dhe Ligës së Shteteve Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, ka ndërmend të japë dorëheqjen para 18 prillit, njofton sot gazeta libaneze "Al-Safir" me referim tek burimet diplomatike në Kajro.

Sipas të dhënave të gazetës, Lakhdar Brahimi u konsultua me miqtë dhe kolegët e tij për sa i përket dorëheqjes së vet pas Samitit të Ligës së Shteteve Arabe, që u mbajt në fund të marsit në Doha. Në të, në veçanti, u deklarua e ligjshme dhënia e ndihmës ushtarake opozitës siriane nga ana e vendeve anëtare të Organizatës. Pritet që në kërkesën e vet për dorëheqjen Lakhdar Brahimi t’i ngarkojë Ligës së Shteteve Arabe përgjegjësinë për "shkatërrimin e Sirisë". Pas përfundimit të Samitit Lakhdar Brahimi deklaroi se palët e konfliktit sirian duhen ndihmuar për të arritur në marrëveshje dhe jo të furnizohen ato me armë.