Shtetet e Bashkuara po financojnë aktivisht kandidatin e opozitës në zgjedhjet presidenciale në Venezuelë, të cilat do të mbahen më 14 prill, deklaroi sot Presidenti i Përkohshëm, Nicolas Maduro, i cili kandidon për postin më të lartë shtetëror nga radhët e Partisë së Bashkuar Socialiste.

Maduro shprehu gjithashtu besimin në fitoren e tij në këto zgjedhje, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë aktivisht në votime, në mënyrë që të arrihet "fitorja me nokaut". Nëse fiton zgjedhjet ai premtoi të zbatojë të njëjtin program parazgjedhor, i cili u prezantua nga Chavez në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.