0Ky ishte një nga kampet më të mëdha të përqendrimit në territorin e Gjermanisë. Që nga viti 1937 në Buhenvald (Buchenwald) janë mbajtur të ngujuar 239.000 të burgosur. Në të vdiqën ose u vranë 56.000 njerëz të 18 kombësive. Në prill të vitit 1945 në këtë kamp përqendrimi shpërtheu një kryengritje. Të burgosurit arritën të çarmatosin dhe të zënë rob ushtarët SS dhe rojet. Komiteti Internacional i kryengritësve e morri nën kontrollin e vet kampin pak ditë para ardhjes së njësive ushtarake amerikane më 11 prill. Më vonë dëshmitë e të burgosurve të Buhenvald-it, mes tjerash, u morrën në shqyrtim nga Gjykata ndërkombëtare e Nurembergut. Ideologjia naziste parapërcaktoi shfarosjen masive të njerëzve, tha Drejtori i Fondacionit rus "Kujtesa historike" Aleksandër Djukov:

- Më e njohura nga të gjitha metodat e shfarosjes ishte krijimi i kampeve të vdekjes, në të cilët gjetën vdekjen miliona njerëz të të gjitha nacionaliteteve. Kujtimi i këtyre krimeve të tmerrshme, monstruoze, natyrisht, nuk duhet të zhduket kurrë. Ne të gjithë e dimë fort mirë se çdo të thotë Auschwitz apo Dakao. Shumë njerëz, sidomos në territoret e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, e njohin jo me të dëgjuar një emër të tillë të tmerrshëm si kampi Trostenec.

Sipas të dhënave të studiuesve, midis 18 milionë të burgosurve të kampeve të përqendrimit dhe burgjeve naziste, 5 milionë ishin qytetarë të Bashkimit Sovjetik. Shumë prej tyre nuk arritën të mbijetojnë deri në momentin e çlirimit. Më 11 prill në Moskë, në Kodrën Pokllonnaja (russ. Поклонная гора), pranë monumentit "Tragjedia e popujve" u mbajt tradicionalisht tubimi përkujtimor. Çdo vit vjen në këtë vend të shenjtë edhe Inna Harllamova - ish e burgosur e kampit të përqendrimit Igren, i cili ishte vendosur asaj kohe në periferi të Dnepropetrovsk-ut. Ajo u ndodh e ngujuar atje kur ishte ende fëmijë me nënën e saj. Inna Harllamova kujton si vijon:

- Unë nuk e di se si arriti nëna ime të ruajë edhe jetën time, edhe jetën e saj. Ajo qante gjithmonë, nuk donte ta kujtonte atë periudhë të tmerrshme të jetës së vet. Sa lot janë derdhur në këtë kamp të mallkuar! Tani në vendin e kampit, i cili u hodh në erë nga nazistët gjatë tërheqjes së tyre në tetor të vitit 1943, janë ngritur disa monumente. Në Dnepropetrovsk ekziston Organizata shoqërore e ish-të burgosurve të mitur të nazizmit. Më 11 prill gjithkund tek ne, ku ekzistojnë organizatat tona - në Ukrainë, Bjellorusi, Rusi, Uzbekistan, Moldavi, Kazakistan - zhvillohen gjithmonë solemnitetet e rastit. Kjo nuk duhet të harrohet kurrsesi. Dhe duhet të bëhet të gjitha përpjekjet në mënyrë që të mbretërojnë në tokë paqja dhe qielli i pastër mbi kokat e njerëzve.

0Më 11 prill pranë monumenteve përkujtimore në të gjithë Rusinë, në vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS) dhe shtetet e Balltikut do të mblidhen ish-të burgosurit e mitur të kampeve naziste të përqendrimit. Me ta do të bashkohen me mijëra të rinj e të reja për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që kaluan përmes sprovave të tmerrshme, për të kujtuar emrat e të vrarëve mizorisht në burgjet naziste.