Serbia do të fillojë ndërtimin e gazsjellësit “South Stream” (“Rryma Jugore") në dhjetor të këtij viti, deklaroi Kryeministri i vendit, Ivica Daçiç, në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Rusisë Dimitri Medvediev ditën e mërkurë pas takimit të tyre në Moskë. Financimin e këtij ndërtimi me kosto prej 1.7 miliardë euro do ta marrë mbi vete pala ruse.

Ivica Daçiç vuri në dukje se Moska gjatë negociatave sugjeroi vetë që të financojë plotësisht ndërtimin e sektorit të gazsjellësit në territorin e Serbisë, ndërsa pjesa e mjeteve financiare që duhet të investojë Serbia do të merret me vonë për llogari të tarifave për pompimin e gazit nëpërmjet territorit të saj.