0Sergei Lavrov ka hedhur poshtë akuzat e shprehura në adresë të Rusisë mbi gjoja pasivitetin e saj në zgjidhjen e problemit të Koresë së Veriut. Moska i përmbahet diplomacisë së "qetë" dhe jo publike, duke punuar me Korenë e Veriut, SHBA-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut, si dhe koordinon ngushtë veprimet e veta me fqinjët kineze, sqaroi Sergei Lavrov.

Pozitat e Rusisë dhe Kinës janë tejet të rëndësishme për zgjidhjen e situatës që ka hyrë në qorrsokak në Gadishullin Korean. Kjo u njoftua nga Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney. Në Uashington, në veçanti, shpresojnë shumë se Moska dhe Pekini do të përdorin gjithë ndikimin e tyre unikal ndaj Phenianit me qëllim që të parandalohet zhvillimi i mëtejshëm i situatës sipas skenarit më të keq.

Në Gadishullin Korean aktualisht po zhvillohet një luftë e fortë psikologjike dhe ajo, duhet thënë, po vjen duke u përshkallëzuar. Pheniani po përpiqet të trembë botën, duke deklaruar se është i gatshëm në çdo moment për të filluar luftën në kundërpërgjigje të veprimeve provokative të SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Çfarë është kjo një bllof i sajuar apo kërcënim real? Opinioni i ekspertit të Qendrës ruse për Hulumtime të Programeve Koreane, Georgi Tolloraj:

- Vetë lufta, si një përplasje e madhe mes këtyre dy vendeve, nuk ka gjasa të shpërthejë. Kim Jong-Yun është plotësisht i vetëdijshëm se kjo do të thotë jo vetëm fundi i regjimit të tij, por dhe, në përgjithësi, i gjithë shtetit të Koresë së Veriut si të tillë. Dhe, sigurisht, nuk do ta ndërmarrë këtë hap që mund t’i kushtojë shtrenjtë atij. Nuk janë fort të predispozuar për t’u përfshirë tani në një konflikt të madh si amerikanët, ashtu dhe koreanojugorët. Së pari, kjo do t’i shkaktonte një dëm shumë të madh ekonomisë botërore. Së dyti, ky konflikt nuk ka asnjë kuptimi të veçantë.

Nga Pheniani dëgjohet vazhdimisht retorika kërcënuese ushtarake. Ndërsa nga ana e Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara vërehet një rritje e theksuar e aktivizimit të veprimtarisë ushtarake. Në të njëjtën kohë Koreja e Veriut është mëse e bindur se atë po e provokojnë. Ndaj këtij fakti tërhoqi vëmendjen Kreu i Qendrës për Studime Koreane të Institutit të Orientalistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Aleksandër Voroncov:

- Secila nga palët konfliktuese i paraqet veprimet e veta si difensive (mbrojtëse). Por duhet kuptuar se pala tjetër mund t’i perceptojë ato në një mënyrë krejtësisht tjetër. Fakti, që SHBA-ja ka vendosur të përmbahet nga zhvillimi i provës së radhës të raketës ndërkontinentale është, padyshim, një hap mjaft i drejtë. Ai pretendon për të treguar se ne jemi të gatshëm për të treguar përmbajtje. Do të dëshiroja shumë që të gjitha palët e përfshira në konflikt t’i përmbaheshin pikërisht një pozicioni të tillë.

Ndërkohë, burimet koreanojugore njoftuan më 10 prill se Koreja e Veriut është e gatshme "në çdo moment" për lëshimin e raketës balistike. Sipas të dhënave të shëbimeve të inteligjencës të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, ajo është transportuar në bregun lindor të Koresë së Veriut dhe instaluar tashmë në platformën mobile. Distanca e fluturimit të saj mund të arrijë deri në 3.500 kilometra. Ndërsa kjo do të thotë se territori i SHBA-së ndodhet brenda rrezes së veprimit të saj.

0Ndërkohë Pentagoni ka deklaruar se është i gatshëm për të interceptuar çdo raketë verikoreane të drejtuar si kundër Shteteve të Bashkuara, ashtu dhe kundër aleatëve të saj. Bashkë me këtë, të mërkurën Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë rritur monitorimin e përbashkët të Koresë së Veriut deri në një nivel të paprecedentshëm.