Galeria fotografike

Në Panairin e tanishëm të Hannoverit kjo ekspozitë (INNOPROM, pra) është paraqitur për herë të parë me stendën e vet personale me qëllim që të tërheqë sa më shumë pjesëmarrës të huaj. Këtë vit INNOPROM do të mbahet në Ekaterinburg nga 11-14 korrik nën devizën "Industria globale". Në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtorja e Përgjithshme e INNOPROM, Maria Berezhkova, tregoi se për katër vjet ajo u bë një nga ekspozitat më të mëdha federale dhe ndërkombëtare:

- Dimitri Medvediev në vitin 2012 vizitoi INNOPROM dhe e quajti atë ekspozitën kryesore industriale të Rusisë. Ajo lindi pikërisht në Ekaterinburg sepse në këtë qytet janë përqëndruar të gjitha ndërmarrjet industriale më të mëdha të vendit. Ato janë pjesëmarrëse të rregullta të ekspozitës sonë. Detyra jonë është që ta bëjmë këtë ekspozitë me të vërtetë ndërkombëtare. Ne kemi ardhur në Hanover për t'u njohur me kompanitë e huaja, meqenëse Panairi i Hannoverit cilësohet me të drejtë si një nga ekspozitat më të mëdha industriale në botë. Ne kemi plane ambicioze për ta bërë INNOPROM-in rus "një panair të dytë Hannoveri". Këtë vit ne kemi zhvilluar tashmë bisedime me kompanitë latinoamerikane, kineze dhe indiane. Të gjithëve u intereson industria ruse, ekziston dëshira për të hyrë në këtë treg. Tani shumë prej tyre ose janë duke u përgatitur për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, ose dëshirojnë të vijnë me delegacion në të, ose të marrin pjesë në biznes-programin e saj.

“Zëri i Rusisë”: Ekaterinburgu gëzon namin e kudhrës së farkëtimit të kuadrove të dizajnit industrial.

Maria Berezhkova: Në vitin 2012 ne kemi ngritur temën e dizajnit industrial, meqenëse të diplomuarit e Akademisë Shtetërore të Arkitekturës dhe Arteve të Uralit punojnë në kompanitë e mëdha ndërkombëtare pikërisht në profesionin e dizajnit industrial. Në Rusi nuk i kushtojnë vemendje të veçantë, pra, nuk i japin shumë rëndësi këtij profesioni, ndërsa në Evropë ai është shumë i kërkuar.

Kjo është arsyeja përse ne në dritën e Panairit të Hannoverit pasqyrojmë gjerësisht temën e dizajnit industrial. Ajo ka marrë edhe miratimin e organizatorëve. Ndoshta vitin e ardhshëm dizajni industrial do të bëhet tema e 12-të e ekspozitave të specializuara në kuadër të Panairit të Hannoverit. Forum i Dizajnit Industrial u mbajt për herë të parë tek ne në Ekaterinburg. Këtu në Hannover po mbahet Forumi i dytë, kurse i treti do të zhvillohet gjatë ekspozitës INNOPROM këtë vit.