Në audioinçizimin e liderit të "Shtetit Islamik të Irakut" (krahu irakian i "Al-Qaeda"), thuhet se grupi "Fronti al-Nusra", i cili lufton kundër ushtrisë së Presidentit Assad në Siri, është pjesë e "Al-Qaeda".

Audioinçizimi në fjalë u shfaq në forumet xhihadiste në Internet. Në këtë mesazh zanor thuhet se të dy grupet tani e tutje do të veprojnë nën emrin e vetëm "Shtetit Islamik në Irak dhe Levant". Origjinaliteti i këtij mesazhi nuk mund të konfirmohet.

Dyshimet se "Fronti Al-Nusra" dhe "Al-Qaeda" janë të lidhura kanë ekzistuar edhe më parë. Pikërisht për këtë arsye SHBA-ja e kishte përfshirë "Al-Nusra" në listën e organizatave terroriste.