Website-i “WikiLeaks” ka botuar më shumë se 1.7 milion dokumente të shërbimit sekret dhe atij diplomatik amerikan që u përkasin viteve nga 1973-1976.

Një pjesë e dokumenteve të publikuara i drejtohej Sekretarit amerikan të Shtetit të asaj kohe, Henry Kissinger, ose buronte nga ai. Shumica e letrave kanë mbishkrimin "jo për përhapje apo publikim", ndërsa më parë disa prej këtyre dokumenteve kishin statusin e të klasifikuarave.

Në website-in e “WikiLeaks” koleksioni i këtyre dokumenteve është quajtur "Biblioteka publike e diplomacisë amerikane".

Që në dhjetorin e kaluar Julian Assange deklaroi se "ai nuk i trembet asgjëje" dhe premtoi se në vitin 2013 do të bëjë publike rreth 1 milion dokumente të reja që do të prekin "të gjitha vendet e botës".