0Vladimir Putin kujtoi se BE-së i bie rreth 50 për qind e tregtisë së Rusisë. Kurse Gjermania është edhe partnerja kryesore tregtare, edhe investitorja kryesore e Rusisë:

- Qarkullimi ynë tregtar arrin në 74 miliardë dollarë dhe ai po vazhdon të shënojë rritje pavarësisht nga të gjitha vështirësitë. Pas këtyre shifrave qëndrojnë vendet e punës, teknologjitë e reja që shkojnë në të dyja vendet. Gjermania është një nga investitoret tona më të mëdha (25 miliardë $ dollarë investime kumulative). Vetëm për vitin e kaluar rritja kapi shumën 7.2 miliardë $.

Takimi mes Merkel dhe Putin tani do të mbahet për herë të parë pas marrjes së masave drakoniane në lidhje me rregullimin bankar në Qipro. Presidenti rus i quajti absurde metodat e konfiskimit të kursimeve të depozituesve për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ata nuk kanë të bëjnë fare.

Duke iu referuar temës së situatës në Siri, Putin theksoi edhe një herë se Moska ka mbështetur dhe mbështet zgjidhjen politike të saj. Pa kurrfarë ultimatumesh:

- Unë jam shprehur tashmë për këtë publikisht por dua t’ju them edhe ju, me qëllim që audienca juaj të mësojë gjithashtu pozicionin tonë të vërtetë. Në se konsiston ai? Sigurisht jo në atë që Bashar Al-Assad të largohet sot nga pushteti, siç propozojnë partnerët tanë, kurse nesër të fillojmë të mendojmë se çfarë të bëhet me këtë vend dhe në ç’drejtim të avancohet më tej. Aktualisht është krejtësisht e paqartë se ku po shkon Libia. Ajo faktikisht është ndarë në tri pjesë. Ne nuk duam që të krijohet në Siri një situatë e tillë e komplikuar si në Irak, si në Jemen.

Presidenti rus theksoi se ata që indinjohen nga ligjet e fundit, të miratuara në Federatën Ruse, për rregullimin e aktivitetit të OJQ-ve, nuk e kanë aspak idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Fjalë bëhet për ato organizata joqeveritare të cilat financohen nga jashtë - të tilla në Federatën Ruse veprojnë plot 654. Putin kujtoi se ligje të ngjashme ekzistojnë edhe në Shtetet e Bashkuara. Dhe në këtë rast Kremlini nuk ka shpikur asgjë të re:

- Vetëm për katër muaj, pas miratimit prej nesh të ligjit përkatës, në llogaritë e këtyre organizatave janë depozituar nga jashtë 28 miliardë e 300 milionë rubla - gati një miliardë dollarë! Kurse 855 milionë rubla - nëpërmjet misioneve diplomatike. Këto janë organizata të angazhuara në aktivitete të politike. Pse vallë shoqëria jonë nuk duhet të dijë se kush dhe për çfarë i merr paratë?

Ndoshta më e papritur për të gjithë u bë përgjigjja ndaj pyetjes me karakter personal që iu drejtua Putinit: Me çfarë mund të merret Presidenti kur të largohet nga posti i lartë shtetëror?

- Mua më pëlqen shumë drejtësia, jam i apasionuar pas letërsisë dhe shpresoj se do të kem mundësi të merrem me të gjitha këto tashmë pa qenë i lidhur konkretisht me punën shtetërore. Ndoshta do të merrem me ndofarë punësh të tjera - sociale, sportive e kështu me radhë.

0Më 8 prill, një ditë pas takimit të tyre, Putin dhe Merkel do të vendosin kurora me lule në memorialin e të burgosurve sovjetikë të kampit të përqendrimit në Ahlem.