Cilat janë rezultatet më të rëndësishme të takimit Tuaj me Presidentin Vladimir Putin?

- Unë erdha në Moskë, para së gjithash, që të falenderoj Rusinë. Lindja e Mesme ka përjetuar në vitet e fundit ndryshimet rrënjësore. Ato kanë prekur kryesisht Tunizinë, Egjiptin, Libinë, dhe, natyrisht, Jemenit, kurse tani edhe Sirinë. Ne i jemi tejet mirënjohës udhëheqjes ruse për faktin se ajo mbështeti iniciativën e vendeve arabe të Gjirit Persik për zgjidhjen e krizës në Jemen.

Çfarë çështjesh të tjera diskutuat Ju me Presidentin e Rusisë?

- Ne diskutuam gjendjen e punëve në rajon dhe mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit në mes Jemenit dhe Rusisë. Në vitin 2013 ne do të kremtojmë përvjetorin e 85-të të vendosjes së marrëdhënieve ruso-jemenase. Ato janë zhvilluar intensivisht edhe gjatë ekzistencës së ish-Bashkimi Sovjetik, edhe më vonë. Këto marrëdhënie janë zhvilluar edhe me Jemenin Jugor, edhe me Jemenin Verior si dhe me Jemenin e bashkuar. Një shembull i vetëm - kjo është sfera e armatimeve. Që para bashkimit të Jemenit, edhe ushtria e Veriut edhe ajo e Jugut e këtij vendi ishin të pajisura me teknikë luftarake nga Rusia.

Çfarë projektesh konkrete keni diskutuar Ju në Moskë?

- Ne propozuam që rusët të marrin pjesë në eksplorimin e vendburimeve të naftës dhe gazit në Jemen. Një temë shumë e rëndësishme e diskutimit tonë - planet e vendeve të Gjirit Persik për të rikrijuar “Rrugën e Mëndafshit” të nivelit bashkëkohor nëpërmjet sistemit të linjave hekurudhore. Ne diskutuam se si mund të lidhet Jemeni me këtë projekt.

Ne kërkuam gjithashtu ndihmën ruse në modernizimin e termocentraleve në qytetin Aden, me qëllim që të sigurojmë volumin e energjisë elektrike në masën kërkuar. Ne jemi të interesuar edhe për modernizimin e parkut tonë të teknikës së aviacionit.

A keni kërkuar Ju vallë ndihmën e Rusisë në luftën kundër terrorizmit?

- Ne kemi propozuar zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit. Terrorizmi nuk ka as atdhe dhe as kufij.

Me çfarë konkretisht mund ta ndihmojë Rusia Jemenin?

- Me municione, avionë.

Në Jemen Ju keni arritur të lansoni procesin e pajtimit kombëtar. Po cili është objektivi kryesor i tij?

- Jemeni po përjeton aktualisht një pikë kthese vendimtare në historinë e vet. Gjatë gjithë gjysmës së shekullit të fundit vendi ynë ka qenë vazhdimisht në gjendje lufte. Në vitin 1990 ndodhi bashkimi i Jemenit. Por edhe pas kësaj gjithsekush është përpjekur për t’i imponuar idetë e veta palës tjetër. Pikërisht kjo dhe çoi në shpërthimin e luftës së vitit 1994. Kurse ne tani duam të arrijmë përfaqësimin e barabartë në qeveri, me qëllim që sistemi politik i vendit të përmbushë kërkesat e shekullit XXI.

Tani Siria po përjeton një moment jashtëzakonisht të vështirë. Si mendoni Ju çfarë mund të jetë e dobishme për Sirinë nga përvoja e vendit Tuaj?

0- Mendoj se në luftën në Siri nuk mund të ketë fitues apo humbës. Dhe unë diskutova me Presidentin Putin se si mund të përdoret skenari jemenas për zgjidhjen e konfliktit në Siri.