Dy iranianë humbën jetën dhe 4 të tjerë u plagosën si pasojë e tragjedisë që ndodhi të enjten në aeroportin e qytetit të Jiddah (Arabi Saudite). Sipas njoftimit të sotëm të mediave saudite, një kamion shërbimi çau me vrull në sallën e pritjes së aeroportit dhe mori përpara një grup pasagjerësh, të cilët po përgatiteshin të ngjiteshin në bordin e avionit që duhej të fluturonte për në Teheran. Viktimat e aksidentit ishin pelegrinë, të cilët po ktheheshin në atdhe pas vizitimit të Mekës dhe Medinës.

Shoferi i kamionit, shtetas i Nepalit, është arrestuar. Po zhvillohen hetimet e këtij incidenti.