0Presidenti i Jemenit e vizitoi Rusinë gjashtë muaj para datës së shënuar - 85-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Në vitin 1928 pikërisht Jemeni u bë vendi i parë në Gadishullin Arabik, me të cilin Bashkimi Sovjetik nënshkroi Traktatin e Miqësisë dhe Tregtisë. Bashkëpunimi vazhdoi edhe në vitet kur Jemeni u nda për shkak të luftës civile, edhe pas bashkimit të tij në vitin 1990. Por sot ritmi i këtij partneriteti lënë shumë për të dëshiruar, pavarësisht madje dhe nga fakti se vetëm vitin e kaluar qarkullimi tregtar u rrit me më shumë se 1/3, deklaroi Vladimir Putin, duke pritur homologun e tij jemenas në rezidencën e vet në periferi të Moskës - Novo-Ogarjovo:

- Ne kemi marrëdhënie të zhvilluara mirë ekonomike. Për fat të keq volumi i përgjithshëm është disi i vogël, por ritmi i marrë gjatë vitit të kaluar nuk është i keq. U rrit me 43 për qind qarkullimi tregtar. Ka edhe shumë fusha të tjera me interes të ndërsjellë, të tilla si bashkëpunimi tekniko-ushtarak.

Por Rusia ka ndërmend të zhvillojë edhe projekte të tjera me Jemenin. Në bisedimet në Moskë u bë fjalë mbi partneritetin e mundshëm në sferën e energjisë elektrike, atë të naftës dhe gazit, në zhvillimin e infrastrukturës së transportit. Ekonomia e Jemenit, e cila deri në fund të viteve 2000 është zhvilluar me ritme të shpejta, madje impresionuese, aktualisht është në rënie. GDP-ja për frymë popullsie është shumë herë më e vogël se në vende të tjera jo fort të pasura të rajonit. Ngjarjet e "Pranverës arabe" dhe kriza politike që i pasoi ato e kanë përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme situatën. Vendi u ndodh përsëri në prag të luftës civile. Dhe autoritetet e reja arritën për mrekulli të shmangin zhvillimin e mëtejshëm të situatës sipas një skenari të tillë. Jemeni sot ka nevojë për mbështetje dhe Rusia është e gatshme t’i japë ndihmë të gjithanshme atij për rimëkëmbjen, shëndoshjen e plotë, e siguroi Presidentin jemenas Abd Rabbo Mansour Hadi Kryetari i shtetit rus Vladimir Putin:

- Jemeni po përshkon aktualisht një rrugë të vështirë në zhvillimin e vet. Ne shpresojmë, zoti President, se Ju do të jeni në gjendje për të rivendosur paqen dhe rendin, për të krijuar kushtet e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm. Kurse Rusia do të bëjë të gjithçka që varet prej saj për t’ju përkrahur Ju, me qëllim që të rritet standarti i jetesës së vendit miqësor për ne.

0Kryetari i shtetit i Jemenit nga ana e tij vuri në dukje se Rusia ka dhënë një ndihmë të madhe për stabilizimin e situatës në vend. Në veçanti, "me përpjekje të përbashkëta" është arritur vendosja e dialogut të brendshëm midis elitave politike vendase, shmangia e përçarjes në radhët e ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës, tha Abd Rabbo Mansour Hadi. Sipas fjalëve të tij, në qoftë në vend do të kishte shpërthyer lufta civile, atëhere oshëtima e saj në mënyrë të pashmangshme do të kishte përfshirë të gjithë rajonin.