Shkarko audiofailin


Të premten, më mars 29, filluan të vijnë njoftime se në bankat rumune është vërejtur një lloj situate e ngjashme me panikun - njerëzit po i transferojnë paratë e tyre nga bankat e vogla dhe të mesme në bankat e mëdha dhe po zvogëlojë sasinë e depozitimeve deri në më pak se 100.000 €, ose i mbyllin në përgjithësi të gjitha llogaritë e veta.

Pse ndaj situatës së krijuar në Qipro reaguan të parët me kaq nervozizëm pikërisht në Rumani?

Me këtë pyetje “Zëri i Rusisë” iu drejtua Shefit të Katedrës së Çështjeve të integrimit evropian të Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IMEMO) të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Sergei Utkin:

- Rumania është një nga hallkat më të dobëta të Bashkimit Evropian. Situata politike dhe ekonomike në këtë vend paraqitet mjaft problematike. Rrëmuja e poterja me ndryshimin e qeverisë. Cilësia e ulët e sistemit të drejtimit. Akuzat e bujshme për korrupsion që lindin për shkak të pamundësisë, për forcë të vështirësive ekonomike, për t’u paguar një rrogë të denjë nëpunësve civilë. Elitën lokale e irriton tej mase fakti se BE-ja nuk i kupton të gjitha këto. Kurse zyrtarët e lartë evropianë, nga ana e vet, nuk besojnë në aftësitë e autoriteteve rumune për të kryer reformat e nevojshme. Gjendjen e komplikon shumë vetë figura e Presidentit Trajan Bashesku. Nga ai janë të pakënaqur si në Rumani, ashtu dhe jashtë vendit. Largimi i tij nga posti presidencial dhe zgjedhja e një kryetari të ri të shtetit do të bëhej një moment vendimtar për vendin, një simbol i politikës së re rumune.

Tre muaj i kanë mbetur Rumanisë, që në këmbim të këstit të ardhshëm prej 20 miliardë eurove tashmë të rezervuara për të, të përmbushë kërkesat e kreditorëve. Ndërsa kjo, siç e dimë, është e mbarsur me shkurtimet e pagave në sektorin publik me 25%, të pensioneve me 15%, me rritjen e TVSH-së nga 4%-24%, pezullimin e realizimit të programeve sociale. Për pagesën e borxhit të jashtëm në vitin 2013 vendit i duhet të gjejë me çdo kusht 5.2 milionë €.

Ndoshta jo më kot i druhen rumunët aplikimit të skenarit të Qipros në Rumani?

Me këtë pyetje Radiokompania "Zëri i Rusisë" iu drejtua Kryeekonomistit të Kompanisë Investuese ruse “Troika-dialog”, Eugjeni Gavrilenkov:

- Ne duhet të kujtojmë një gjë, dhe pikërisht, se problemi i Qipros vjen nga fakti se aktivet e sektorit bankar janë afërsisht 7 herë më të mëdha se GDP-ja. Përsa i përket Rumanisë, në këtë vend situata paraqitet krejtësisht tjetër. Përmasat e sektorit financiar në raport me PBB-në janë në mënyrë të qenësishme më të vogla. Të paktën për vetë faktin se si i pavarur ky sektor ekziston jo më shumë se 20 vjet. Problemet me banka të veçanta, sigurisht, që nuk mund të përjashtohen në Rumani. Por ndonjë krizë sistemike serioze, si ajo e Qipros, unë nuk parashikoj në këtë vend.

Financat evropiane janë si enë (epruveta) komunikuese qelqi. Në Moskë po diskutohet situata e krijuar me simotrën e Bankës së Qipros (Bank of Ciprys) - Banka Uniastrum ruse. Por ajo financohet në mënyrë të pavarur, ndërsa shuma e fondeve të saj në llogaritë korresponduese të shtetit ishullor është gjithsej 6%. Po sa përqind të llogarive të tilla ka Banka Marfin România, aksionere kryesore e së cilës është Banka Popullore e Qipros (Laiki Bank), që së shpejti do t’i nënshtrohet eliminimit? Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë ka konfirmuar se shteti garanton sigurinë e të gjitha depozitave, duke përfshirë edhe ato të Bankës problematike Marfin România. Ndërkaq ai shtoi, se zotërues të depozitave me shuma mbi 100.000 € në vend janë më pak se 12 mijë vetë. Kinse, edhe nëse dikush do të preket, kjo nuk do të jetë megjithatë masa dërrmuese e depozituesve të llogarive bankare ...