0Ekspertët rusë janë mëse të bindur se për atë që po ndodh në Gadishullin e Koresë nuk mund të fajësohet kurrsesi vetëm Republika Popullore Demokratike e Koresë. Përvoja e intervencionit ushtarak amerikan në Irak, Libi, Afganistan nuk mund të ushtrojë kurrsesi ndikim qetësues në Phenian, thotë analisti i Qendrës ruse të Studimeve Koreane, Konstantin Asmollov:

- Në situatën e tanishme, kur në politikë evidentohen si shumë standarde të dyfishta, kur sistemi klasik i të drejtës ndërkombëtare po shpërbëhet, udhëheqjes së Koresë së Veriut i duket sikur zhvillimi i programit bërthamor është mbrojtja më e mirë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë dhe problemet që e shoqërojnë atë. Pheniani do që atë ta pranojnë seriozisht në arenën botërore. Jo si një shtet të padëshirueshëm, problematik, ndaj të cilit është e mundur thyerja, shkelja e premtimeve, por si partner, edhe pse të pakëndshëm.

Kim Jong-Yun dëshiron të forcojë pozitat e veta në ushtri dhe të unifikojë popullin, mendon Drejtori i programeve koreane të Institutit rus të Ekonomisë Georgi Tolloraja:

- Asgjë të keqe, përveç deklaratave, deri pak kohë më parë Pheniani nuk ka bërë. Në territorin e vet udhëheqësi i vendit ka vizituar njësitë ushtarake, ka mbajtur mitingje. Por asnjë hap konkret që mund të kërcënonte Korenë e Jugut nuk ka ndërmarrë. Në një kohë kur SHBA-ja dhe Koreja e Jugut po merren aktivisht me ridislokimin e teknikës ushtarake. Në të vërtetë bombarduesi amerikan “B-2” jep goditje mësimore mbi objektivat e trajnimit në Kore.

Deklaratat e ashpra të Koresë së Veriut tingëlluan pas aplikimit të sanksioneve suplementare të OKB-së, të cilat, nga ana e vet, u bënë përgjigje ndaj provës raketore të radhës të Phenianit. Koreja e Veriut i perceptoi si provokim edhe manovrat e përbashkëta amerikano-koreane “Foal Eagle” («Shqiponja e re»). Në to u përfshinë më shumë se 40.000 ushtarë, forcat ushtarake ajrore dhe forcat ushtarake detare. Në manovrat në fjalë marrin pjesë edhe bombarduesit strategjikë bërthamore të SHBA-së. Uashingtoni hodhi në bazat e veta në Korenë e Jugut avionin më të fundit gjuajtës multifunksional të brezit të pestë F-22 "Raptor".

0Manovra të tilla ushtarake janë mbajtur çdo vit dhe kanë shkaktuar gjithmonë reagim tejet negativ nga ana e Koresë së Veriut. Dhe kjo nuk është aspak e habitshme. Është e vështirë të ruash qetësinë, kur mbi qiellin e Gadishullit Korean fluturojnë pa pushim bombarduesit strategjikë bërthamorë amerikanë. Ndërkohë, përkundër deklaratave luftarake dhe mitingjeve pafund, jeta në Korenë e Veriut vazhdon, në fakt, në rrjedhën e vet të zakonshme. Si zakonisht, më 1 prill atje filloi viti i ri shkollor. Në zonën e lirë të bashkëpunimit ekonomik Kaesong (parku industrial jug-korean në Korenë e Veriut) sot erdhën në punë edhe punëtorët verikoreanë, edhe menaxherët koreanojugorë të shumë degëve industriale.