0Plani i veprimeve, i nënshkruar nga udhëheqësit e Rusisë, Brazilit, Kinës, Indisë dhe Afrikës së Jugut, përfshin fusha të reja të bashkëpunimit të tilla si: sigurimi i informacionit, lufta e përbashkët kundër trafikut të drogës, diplomacia publike, politika rinore, arsimi dhe shumë të tjera.

Midis dokumenteve të miratuara në Samit janë edhe Deklarata mbi themelimin e Këshillit të Biznesit të BRICS dhe Konsorciumit të Qendrave Eksperte të BRICS. U nënshkruan gjithashtu marrëveshja shumëpalëshe për financimin e programeve të përbashkëta në sferën e “ekonomisë së gjelbër” dhe marrëveshja për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në Afrikë.

Rezultatet e Samitit të BRICS tregojnë qartë se liderët e pesë vendeve të tij planifikojnë të zhvillojnë intensivisht marrëdhëniet në të gjitha nivelet, vë në dukje eksperti rus Aleksandër Apokin. Vërtetë, pjesëmarrësit e Samitit nuk arritën të marrin vendimin përfundimtar në lidhje me krijimin e Bankës së Zhvillimit të BRICS, por kjo nuk është aspak arsye për pesimizëm, tha Aleksandër Apokin në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë".

- Në lidhje me Bankën e Zhvillimit, duhet të vihet në dukje përparimi i konsiderueshëm që është arritur. Sepse për formimin e saj në një mënyrë ose në një tjetër janë të interesuar edhe debitorët potencialë, edhe Afrika e Jugut e India, si dhe kreditorët potencialë, në radhë të parë, Kina. Por Banka e Zhvillimit është një strukturë shumë komplekse, asnjë bankë zhvillimi nuk është krijuar dot madje dhe për një vit. Prandaj pëlqimi parimor për krijimin e një institucioni të tillë do të thotë se vendimi mbi strukturën e tij do të merret, ndoshta, në 2-3 vitet e ardhshme.

Në sferën e financës para grupeve të punës shtrohet për zgjidhje jo vetëm detyra e projektimit të strukturës së Bankës për Zhvillim. Udhëheqësit e vendeve të BRICS kanë udhëzuar ministritë e financave dhe drejtuesit e banka qendrore kombëtare për të mbajtur bisedimet për formimin e rezervave valutore me volum prej 100 miliardë $. Krijimi i një "rrjeti të tillë sigurie" financiar global do të plotësojë mekanizmat ekzistues ndërkombëtarë të mbrojtjes financiare.

0Trendet botërore aktualisht janë të tilla, që në një afat të shkurtër vendet me ekonomitë më të mëdha në zhvillim do të jenë thjesht të detyruara që të bashkohen. Në qershor është planifikuar fillimi i negociatave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që tashmë në vitin 2014 të nënshkruhet marrëveshja për krijimin e zonës superglobale ekonomike. Projekti është quajtur TAFTA (Transatlantic Free Trade Area), domethënë Zona Transatlantike e Tregtisë së Lirë. Vitin e kaluar SHBA-ja ka avancuar aktivisht projektin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Vendet e BRICS, pavarësisht interesave të ndryshme kryesisht ekonomike dhe politike, do të jenë të detyruara megjithatë të përpunojnë strategjinë e përbashkët të bllokut të tyre (BRICS) për të shmangur diktatet ekonomike të Uashingtonit, Brukselit dhe Tokios.