0Depozituesit e shumave të mëdha do të humbasin deri në 60% të kursimeve të tyre, por gjatë kësaj Qipro pas 2 muajsh do të marrë një kredi prej 10 miliardë euro nga BE-ja.

Në prag “treshja” (ndryshe "troika") e kreditorëve (BE-ja, BQE-ja dhe FMN-ja) dhe Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiadis, nënshkruan marrëveshjen paraprake për shpëtimin e sistemit financiar të vendit. Është planifikuar që banka e dytë më e madhe në vend - Laiki të ndahet në dy pjesë. Një nga ato, me asete "të mira", do të transferohet në Bankën kryesore të Qipros (Bank of Cyprus). Ndërsa të dytën - me asete të "këqija" do ta likuidojnë fare.

Meqenëse në shtetin ishullor janë të siguruara vetëm depozitat deri në 20.000 €, ata persona që kishin më shumë kursime do të humbasin një pjesë të konsiderueshme të parave të tyre (sipas parashikimeve, deri në 60%). Me këtë hap autoritetet planifikojnë të fitojnë 5.8 miliardë €. Me qëllim që të shmangë default-in Qipros i nevojiten rreth 16 miliardë euro. BE-ja ka rënë dakord të japë vetëm 10 miliardë me kusht që Qiproja t’i gjejë në mënyrë të pavarur të hollat e tjera të pamjaftueshme, sqaron financieri Andrei Zaostrovcev:

- Kjo është një taksë konfiskuese, e cila në kohët e hershme quhej haraç. Në përgjithësi, futja e euros në qarkullim është një gabim, po ashtu si dhe përfshirja në zonën e euros e atyre vendeve, që nuk mund të ndodhen kurrsesi në një sistem të njëjtë monetar me Gjermaninë, për shembull.

Shumica e analistëve pajtohen plotësisht me mendimin se shkaku kryesor i rrezikut kërcënues të default-it në Qipro u bë kriza greke. Gjithsej dy bankat kryesore qipriote kanë lëshuar për klientët grekë kredi 40% nga vëllimi total. Plus kësaj, bankat zotëronin obligacione greke. Kështu dhe e tërhoqi Greqia pas vetes Qipron në gropën e borxheve.

Është bërë e ditur tashmë se Banka më e madhe Popullore e Qipros (Cyprus Popular Bank) do të mbyllet. Kurse kjo do të thotë se shteti ishullor do të përballet edhe me një problem tjetër të madh - papunësinë. Qipriotët do të ballafaqohen gjithashtu edhe me shitjen në masë të pasurive të patundshme, parashikojnë ekspertët.

0Gjatë diskutimit të masave anti-krizë u bë fjalë edhe për shtetëzimin e mundshëm të fondeve të pensioneve. U propozua gjithashtu rritja e tatimit mbi të ardhurat, i cili tani në Qipro është më i ulëti në gjithë zonën e euros. Nga aplikimi i këtyre masave u hoq dorë, por me sa duhet nga të gjitha, hë për hë. Ekspertët nuk përjashtojnë që variantet e propozuara të rikthehen për shqyrtim vetëm e vetëm që të shpëtohet tashmë vendi i pestë i BE-së që ka nevojë të ngutshme për ndihmë financiare. Sipas mendimit të disa analistëve, në Qipro po praktikohet aktualisht taktika e default-eve të kontrolluara (të menaxhuara), të cilat mund të zbatohen në të ardhmen në vende të tjera të trazuara, tejet problematike të Eurozonës.