Shkarko audiofailin

Informacioni rreth Qipros ngjason shumë me buletinet e përditshme të lajmeve nga frontet e luftës. Në natën e 23 marsit parlamenti miratoi planin "B", sipas të cilit bankat do të ndahet në "të mira" dhe "keqija", kurse këto të fundit do t’i falimentojnë fare. Lëvizja e kapitalit jashtë vendit do të kufizohet ndjeshëm. Të shtunën, më 23 mars, Presidenti Nicos Anastasiadis fluturoi për në Bruksel.

Atje, siç u njoftua, me një vonesë disa orëshe filluan bisedimet. Më tej pasoi lajmi rrufe "Komisioneri Evropian mbështeti projektin e shpëtimit të ekonomisë së Qipros". Kurse një orë më vonë: "Bisedimet me Eurogrupin u pezulluan". Dhe më në fund në mëngjes u bë e ditur: u morr vendimi i korrektuar. Sipas tij, depozituesit e Laiki Bank, të cilët kanë në llogaritë e tyre bankare më shumë se 100.000 euro, do të humbasin 40% të parave të veta. Ndihma do t’i ofrohet Qipros, por jo ... për rikapitalizimin e dy institucioneve më të mëdha huadhënëse. Me pak fjalë, është jashtëzakonisht e vështirë të parashikohet ndonjë gjë. Në këtë situatë prag default-i për shtetin ishullor operatorët turistikë rusë janë çuditërisht të qetë. Ndërkohë që duhet thënë se drejtimi qipriot është një nga më të kërkuarit nga rusët. Ja se çfarë njoftoi për përdoruesit e faqes së Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Sekretarja për shtypin e Bashkimit rus të Industrisë së Turizmit, Irina Tjurina:

- Shumica e paketave turistike tashmë janë paguar. Ndërsa me ato pagesa që duhet të bëjmë tani, pala pritëse na kërkoi që të mos nxitojmë. Turistët në Qipro shkojnë e vijnë në mënyrë të pandërprerë, por, po e përsëris edhe një herë, paratë për ta partnerët tanë do t’i marrin më vonë. Shumica dërrmuese e rusëve preferojnë të mbajnë me vete të holla (cash), gjë që në situatën e tanishme është mjaft e favorshme. A ka rënë vallë kërkesa për pushime në Qipro? Po, vërehet njëfarë frenimi i parëndësishëm. Njerëzit, thjesht, nuk po mund të kuptojnë se çfarë po ndodh atje në të vërtetë.

Një nga operatoret kryesore turistike ruse për Evropën Jugore, Greqinë dhe Qipron është kompania ICS Travel Group. Drejtuesi i filialit qipriot të saj Aleksei Sokollov thotë se përqindja e refuzimit të udhëtimeve e pushimeve në Qipro është fare e vogël, brenda kufijve të normës. Ai nxjerr një konkluzion krejtësisht befasues për situatën aktuale në këtë shtet ishullor: kriza në perspektivë vetëm do të stimulojë fluksin e turistëve nga Rusia:

- Nga këndvështrimi im, të gjitha çmimet atje do të bien në mënyrë të ndjeshme, domethënë për udhëtarët dhe pushuesit tanë situata do të përmirësohet. Ne e vërejmë këtë në rastin e Greqisë, ku si rezultat i krizës infrastruktura e shërbimeve, duke përfshirë edhe atë të shërbimeve turistike, janë bërë më të lira. Unë parashikoj rënien e çmimeve të hoteleve. Ndërsa ulja e kostos së paketave turistike do të çojë në rritjen e kërkesës. Kështu që plazhet qipriote do të mbështesin ekonominë e mbërthyer nga kthetrat e krizës të shtetit ishullor.

0Mysafirët rusë janë shtylla kryesore e industrisë kombëtare të turizmit, mendon ish-Ministri i tregtisë, industrisë dhe turizmit të Qipros, Neoklis Silikiotis. Sipas parashikimeve të tij, këtë vit do të thyhet madje rekordi i vitit të kaluar, kur fluksi i turistëve nga Rusia u rrit me 42% (474.400 vetë). Kjo shifër pritet të tejkalohet me 100 mijë turistë rusë këtë vit. E megjithatë pushimet në plazh, sado të suksesshme që të jenë ato për firmat turistike, si përfundim nuk do të mund ta shpëtojnë dot ekonominë e Qipros. Sepse në të vërtetë, pjesa e turizmit në GDP-në e ishullit është jo më shumë se 20%.