0Mbi konfigurimin e ri të sistemit të mbrojtjes antiraket (MAR) në Evropë deklaroi më 15 mars në Uashington Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel. SHBA-ja vendosi të ngrijë vendosjen e raketave interceptore në Poloni dhe në vend të kësaj të përqëndrohet në mbrojtjen e territorit të vet. Në Alaskë do të vendosen deri në vitin 2017 14 antiraketa të rënda, kurse në Japoni do të krijohet edhe një stacion tjetër radar. Në të njëjtën kohë do të përgatitet baza e re e interceptorëve të bazimit në galeri nëntokësore në bregun Lindor të SHBA-së.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Rjabkov, deklaroi sot në intervistën e vet me gazetën ruse "Kommersant" se Moska nuk e percepton si një koncesion (lëshim) ndaj saj vendimin e Uashingtonit në lidhje me fazën e katërt të sistemit të mbrojtjes antiraket. Dhe se nuk vëren në këtë vendim asnjë ndryshim thelbësor të pozicionit të tij.

Shumica e ekspertëve rusë janë plotësisht dakord me një interpretim të tillë. Nëse kjo qasje do të fliste mbi heqjen dorë përfundimisht prej SHBA-së nga mishërimi në jetë i qëllimit të saj, atëhere Moska do ta mirëpriste plotësisht atë. Por për këtë as që bëhet fare fjalë, thotë eksperti ushtarak rus Pavell Zollotarjov:

- Ajo (qasja, pra) nuk do të thotë aspak se SHBA-ja është e gatshme, në parim, për të hequr dorë nga vendosja e mbrojtjes pozicionale të MAR në territorin e Polonisë. Prandaj në këtë rast nuk ia vlen të mbivlerësohet vendimi i Uashingtonit. Aktualisht në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë probleme serioze me ekonominë. Por edhe vetë parimi i qëndrimit adaptiv konsiston në faktin, se raketat interceptore do të vendosen atje vetëm kur të lindë rreziku kërcënues real nga ana e Iranit.

Moska beson se për shkak të reduktimit të buxhetit të Pentagonit me 45 miliardë dollarë, SHBA-ja është e detyruar tani të korrektojë planet e veta përkatësisht mbrojtjes antiraket në Evropë. Në marrjen e këtij vendimi ndikoi edhe papërgatitja teknike e atyre sistemeve që Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar për dislokim, thotë Drejtori i Qendrës ruse për Hulumtime të Politikave Publike, Vladimir Jevsejev:

- Sapo të gjejnë zgjidhje problemet financiare dhe të krijohen teknikisht ato sisteme që planifikohet të vendosen në Europë, Shtetet e Bashkuara aty për aty do t’ia hyjnë punës për mishërimin në jetë të planeve të përpiluara më parë. Domethënë, fjalë bëhet vetëm për një vonesë të përkohshme dhe jo për dhënien e ndofarë garancive Rusisë në lidhje me MAR, për të cilat ajo këmbëngul prej kohësh. Rusia niset në logjikën e pozicionimit të saj nga supozimi se këto plane tani vetëm janë shtyrë. Dhe nëse ato janë shtyrë, pse Rusia duhet t’u dalë përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

0Moska është e gatshme të vazhdojë dialogun për çarmatimin me Shtetet e Bashkuara. Por ajo do të vazhdojë edhe më tej të këmbëngulë në lidhje me përfundimin e marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme për zbatim mbi mosdrejtimin e të gjitha elementeve të mbrojtjes amerikane antiraket kundër forcave strategjike bërthamore ruse.