0Me zgjedhjen e Xi Jinping në postin e Presidentit të Kinës përfundoi procesi i transferimit të pushtetit udhëheqësve kinezë të "brezit të pestë". Sistemi politik i Kinës është ndërtuar në mënyrë të tillë, që emrat e udhëheqësve të ardhshëm bëhen të ditur që shumë kohë para marrjes nga ata zyrtarisht të posteve të veta. Në mënyrë të ngjashme mbahet, tradicionalisht, pa kurrfarë të papriturash e surprizash edhe sesioni i Kongresit Kombëtar të Përfaqësuesve Popullorë, thotë Kreu i Qendrës për Studimet ruso-kineze të Universitetit Shtetëror të Moskës (MGU) Eugjeni Zaicev:

- Nuk ka gjasa të ndodhin ndofarë surprizash të befasishme që mund të krahasohen, për shembull, me daljen papritmas në tribunë të ndonjë prototipi kinez të Boris Yelcinit rus, i cili të deklarojë se vendin që këtej e tutje e presin ndryshime radikale. Këto aktivitete janë planifikuar dhe përgatitur me kujdes të madh. Dhe nëse ndodh ndonjë surprizë, ajo, si rregull, është e autorizuar nga vetë udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës.

Edhe një tjetër traditë politike kineze është vazhdimësia e kursit politik të udhëheqësve të RPK-së. Qarkullon mendimi se kursin e vet udhëheqësi i ri e përcakton dhe e aplikon vetëm pas një periudhe pesë vjeçare të qëndrimit në pushtet. Por shoku Xi në këtë aspekt u bë përjashtim. Tiparet kryesore të stilit të tij politik u bënë të qarta që para se ai të bëhej Kryetar i RPK-së. Në fakt ato u shfaqën që në ditët e para pas zgjedhjes së Xi Jinping në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës, thotë Zv/Kryeredaktori i revistës ruse "Pushteti" (russ. «Власть») Aleksandër Gabujev:

0- Ai mbajti një fjalim të shkurtër programativ në ceremoninë e prezantimit të Komitetit të ri të Përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës. Zakonisht kjo ceremoni paraqet në vetvete një seancë të heshtur fotografimi: anëtarët e Byrosë Politike dalin të gjithë në skenë, të heshtur, u buzëqeshin gazetarëve dhe më pas largohen prej andej. Kurse Xi Jinping mbajti një fjalim, në të cilin nuk përmendi praktikisht fjalët marksizëm, socializëm apo terma të tjera që u kanë ardhur tashmë në majë të hundës kinezëve. Në vend të kësaj ai foli për gjërat që preokupojnë me të vërtetë njerëzit në vend: për papunësinë, ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike, për mungesën e një sistemi koherent të pensioneve, korrupsionin e kështu me radhë... Ai premtoi se qeveria e tij në 10 vitet e ardhshme do të merret intensivisht me të gjitha këto probleme kaq shqetësuese për njerëzit.