0Dhe dëshira e tij mund të gjejë mishërim në jetë falë Ekspozitës Universale Botërore Expo 2020. Radiokompania "Zëri i Rusisë" ndriçon të gjitha ngjarjet e lidhura me Expo, dhe unë, si gazetar i redaksisë franceze, u nisa në Paris për pjesëmarrje në promovimin e qyteteve kandidate, kurse më pas në një turne shtypi në Ekaterinburg - kryeqytetin e Uraleve. Pikërisht atje Guvernatori i rajonit Sverdllovsk, Eugjeni Kujvashev, më dorëzoi mua dosjen e veteranit Nikollai Vasenin. Që nga ai moment "Zëri i Rusisë" u angazhua për të gjetur francezen Jeanne Monot dhe bashkëluftëtarët e Nikollait. Historia e tij, në të cilën janë ndërthurur ngushtë fatet e rusëve dhe francezëve, na preku kaq shumë, saqë ne thjesht nuk mund të vepronim ndryshe.

Nikollai Vasenin është aktualisht rusi i vetëm i mbijetuar nga të gjithë ata luftëtarë që janë nderuar me Urdhërin “Kavalier i Legjionit të Nderit” për merita të larta luftarake gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Ai u mobilizua në radhët e ushtrisë sovjetike në 20 nëntor të vitit 1939, ka marrë pjesë në Luftën Ruso-Finlandeze. U plagos, por pas fillimit të Luftës së Madhe Patriotike (Luftës së Dytë Botërore) në verën e vitit 1941 ai u kthye sërish në front. Në korrik, gjatë mbrojtjes e Minskut, Nikollai Vasenin u plagos rëndë dhe si pasojë u zu rob. Gjatë kësaj periudhe ai është transferuar herë pas here në disa kampe gjermane të robërve ushtarakë të luftës, derisa përfundoi në Francë. Më 8 tetor të vitit 1943 Vasenin arriti të arratisej nga kampi dhe së bashku me disa shokë të tij iu bashkua lëvizjes franceze të rezistencës. Nikollai ka luftuar në zonën jo larg qytetit të Saint-Sorlin-sur-Valloire, ka marrë pjesë në shumë luftime, në veçanti, në betejën e Saint-Rambert-d’Albon në veri të Drôme. Grupin e tij gueril partizan e quanin "Çeta e Nikollait" dhe ishte vënë ai nën komandën e Georges Monot. Pikërisht atëhere ra ai në dashuri me Jeanne, të bijën e komandantit të tij. Nga shokët e vet të luftës ai mban mend shumë mirë Emile Sauvage dhe Jean Peyre, i cili kishte disa fëmijë (dy djem Marcel dhe Pierre dhe një vajzë që e quanin Elise).

Pas çlirimit të Francës në vitin 1944 Vasenin u dërgua në Paris, në misionin ushtarak sovjetik. Kurse në prill të vitit 1945 u kthye në Bashkimin Sovjetik (BRSS). Do të dukej sikur gjithçka e tmerrshme kishte mbetur tashmë në të kaluarën, por për Stalinin të gjithë ish robërit ushtarakë të luftës ishin frikacakë dhe tradhtarë. Nikollai Vasenin u dënua me 15 vjet në “kamp riedukimi pune” i akuzuar se ra rob në duart e gjermanëve dhe se u vu në shërbim të Francës. Ai e shërbeu dënimin në kampet e Siberisë dhe u lirua në vitin 1960. Në mesin e viteve ‘80-të Nikollai Vasenin u rehabilitua.

Që nga viti 1985 Nikollai është përpjekur për të rivendosur lidhjet me Francën. Në vitin 1996 Vasenin iu lut konsullit francez për ta ndihmuar atë që të gjente shokët e vet të luftës. Por në vend të ndihmës mori vetëm nderime e dekorata, qoftë dhe të merituara.

0Megjithë moshën e vet të madhe 93 vjeçare Nikollai Vasenin vazhdon të mbetet njeri me shpirt të paepur dhe vullnet të fortë. Ai dëshiron të gjejë tani shokët e vet të luftës që ta përfundojë rrugën e jetës në harmoni e paqe me vetveten.