0Ky është një zbulim i madh jo vetëm për shkencën e re mjekësore - transplantologjinë, por edhe për industrinë farmaceutike: organet bio-artificiale ndihmojnë për testimin e medikamenteve.

Muskuli i zemrës (miokardi) formohet gradualisht, me etapa. Fillimisht qelizat mblidhen në pika të veçanta pulsuese, të cilat më pas në mënyrë të mëvetësishme, pa ndikime të jashtme, gjejnë njëra-tjetrën dhe bashkohen duke krijuar membranën e indit parësor.

Në punën për krijimin e organeve të gjalla njerëzore shkencëtarët e Universitetit të Kiotos janë angazhuar për rreth pesë vjet. Që prej 4 vjetësh projektin në fjalë e ka marrë nën mbikëqyrje Profesori rus Konstantin Aglladze, Shefi i Laboratorit të nano-konstruktimit të komplekseve të proteinave të Qendrës Kërkimore "Nanofizika" të Institutit Fiziko-Teknik të Moskës.

Si burim të materialit gjenetik ekipi kërkimor ruso-japonez ka marrë qelizat embrionale të induktuara. Prej tyre përbëhet embrioni në fazën fillestare të zhvillimit të vet. Pikërisht ato janë "paraardhëset" e organeve të trupit të njeriut.

Gjëja më kryesore është të kuptohet se në çfarë kushtesh lansohet mekanizmi i krijimit të indeve. Shkencëtarët, nën drejtimin e Profesor Konstantin Aglladze, kanë arritur të zbulojnë substancën kimike që aktivizon mekanizmin e transformimit. Nga çdo njëqind "protoqeliza" të induktuara 80 bëhen qeliza të zemrës.

Temperatura optimale për ruajtjen e qelizave të përftuara është 37 gradë. Për tu bindur se indet e zemrës janë të gjalla, ato duhet të vihen nën një mikroskop elektronik. Me një zmadhim në disa milionë herë vërehet se si tkurren indet.

Dhe, duhet thënë, se muskuli i zemrës punon në mënyrë të pavarur, pa stimulues të jashtëm: 50-70 rrahje në minutë. Këtë pamje kanë indet e zemrës njerëzore një muaj pas përftimit të tyre nga qelizat burimore. Gradualisht ato fillojnë të bashkohen dhe krijojnë strukturën e muskulit të zemrës.

Sipas fjalëve të Profesor Konstantin Aglladze, indet e konstruktuara të zemrës do të përdoren për dy qëllime. Së pari, në to do të testohen efektet e preparateve medicinale. Së dyti, qelizat e kultivuara mund të implantohen në zemrën e dëmtuar.

0Përsa i përket prodhimit artificial të indeve të gjalla për transplantim, sipas mendimit të shkencëtarëve, kjo është çështje 3-4 vjetësh. Në të ardhmen kjo teknologji do të ndihmojë për të shpëtuar miliona jetë njerëzish.