SHBA-ja konfirmoi obligimet e veta për garantimin e sigurisë së Koresë së Jugut dhe Japonisë në përputhje me traktatet ekzistuese, deklaroi Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Victoria Nuland, duke komentuar kërcënimet e Phenianit në lidhje me stërvitjet ushtarake të përbashkëta vjetore “Foal Eagle” nga 1 marsi deri në 30 prill të trupave të SHBA-së dhe Koresë së Jugut në Gadishullin Korean.

Nuland e shprehu sërish qëndrimin amerikan, duke sqaruar se këto stërvitje vjetore ushtarake "kanë karakter ekskluzivisht mbrojtës" dhe se qëllimi i tyre është "rritja e gatishmërisë së SHBA-së dhe Koresë së Jugut për t'iu kundërpërgjigjur provokimeve".