0Koreanoveriorët revokuan që nga 11 marsi marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në fund të Luftës së Koresë të viteve 1950-1953. Kjo ishte një kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë të koreanojugorëve dhe SHBA-së nën emrin e koduar “Foal Eagle” («Shqiponja e re"), të cilat do të zgjasin deri në 30 prill. Paralelisht me to filluan edhe manovrat “Key Resolve” (“Zgjidhje kyçe"), të bazuara në modelimet kompjuterike. Në Uashington theksojnë se stërvitjet e përvitshme ushtarake "kanë karakter ekskluzivisht mbrojtës".

Por jo të gjithë ekspertët janë të prirur të besojnë në paqedashjen amerikane. Mendimi i bashkëpunëtorit të vjetër shkencor të Qendrës ruse për Studime Koreane të Institutit të Orientalistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Eugjeni Kim:

"Përkeqësimi i situatës në zonën e pranisë së trupave amerikane i jep mundësi Pentagonit për të ruajtur buxhetin ushtarak. Kjo është njëra anë e çështjes. Aspekti i dytë i çështjes: çdo herë kur në Korenë e Veriut apo Korenë e Jugut vjen në pushtet ndonjë person i ri, pala tjetër provon tundimin për të verifikuar stres-tolerancën, qëndrueshmërinë e tij, dhe si rrjedhojë në etapën fillestare ndodh ftohja e marrëdhënieve. Unë mendoj se të gjithë do të kenë aq mend në kohë për të mos e çuar punën deri në veprime të drejtpërdrejta ushtarake. Sigurisht, çdo rastësi në një situatë të tillë mund të përshkallëzojë në shkëmbim zjarri, por jo më shumë se kaq. Luftë nuk do të ketë".

Duhet pranuar se amerikanët po demonstrojnë vendosmëri tani për tani. Siç deklaroi Këshilltari i Presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, Thomas Donilon, "askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim se SHBA-ja do të përdorë spektrin e plotë të mundësive të saj për t’u mbrojtur nga kërcënimet që Koreja e Veriut përbën për ne dhe aleatët tanë". Koreanoveriorët, ndërkohë, nuk i janë nënshtruar fare panikut. Ata vazhdojnë, si dhe më parë, të mbrojnë të drejtën për të zotëruar armën e vet bërthamore, e cila shërben për regjimin në pushtet të Koresë së Veriut si njëfarë garancie për të frenuar tentativat e rrëzimit të tij nga jashtë. Ndonjë panik i veçantë nuk vërehet edhe për shkak të faktit se prapa kurrizit të Phenianit duket fare qartë Pekini. Analisti politik, orientalisti rus Stanisllav Tarasov mendon si vijon:

0"Në rajonin e Azisë u duk një gjigande e tillë si Kina. Ajo po pozicionohet aktualisht si një lidere e fuqishme jo vetëm në botën aziatike, por edhe në ekonominë globale. Obama në mandatin e vet të dytë presidencial e përcaktoi drejtimin aziatik si vektorin kryesor të politikës së jashtme të SHBA-së. Natyrisht, amerikanët kanë filluar të përforcojnë në mënyrë të ndjeshme praninë e vet ushtarake atje. Në Gadishullin Korean po evidentohet në miniaturë i gjithë kompleksi i problemeve ekzistuese në mes të SHBA-së dhe Kinës".