0Shumë besojnë se Maslenica është një festë pagane. Me të vërtetë, ajo është e njohur që nga kohërat e ekzistencës së Rusisë lashtë. Shkencëtarët mendojnë se në periudhën Para Kristiane kjo ishte një festë që i dedikohej ekuinoksit të pranverës (ndryshe baraznata e pranverës), e cila për shumë popuj simbolizonte fillimin e një viti të ri, dhe ishte e lidhur ngushtë me përcjelljen e dimrit dhe pritjen e pranverës. Priftërinjtë orthodhoksë, në të kundërt, argumentojnë se vetë emri Maslenica ka një kuptim krejtësisht të krishterë dhe është i lidhur ngushtë me traditën kishtare. Ja se çfarë tregon kleriku rus Igor Fomin:

- Kjo është tashmë java e fillimit të ditëve të kreshmës (agjërimit). Në aspektin gastronomik ne përmbahemi nga përdorimi i mishit në ushqimin e përditshëm, ndërsa në aspektin shpirtëror - fillojmë të mërkurave dhe të premteve të lexojmë lutje të veçanta. Ndër traditat e mira të kësaj feste është edhe gostitja bujare e atyre që nuk kanë mundësi të argëtohen, dhënia e ndihmës njerëzve të varfër, vizitimi i të sëmurëve. Në këto ditë është shumë e rëndësishme që t’i kushtohet vëmendje të afërmve.

Galeria fotografike

Në traditat popullore, që janë përcjellë gjatë shekujve deri në ditët tona, çdo ditë e Javës së Maslenicës mban emrin e vet. Secila prej tyre ka ritualet e veta, por kuptimi i përgjithshëm është një i vetëm - të shkuarit për vizita tek të tjerët dhe pritja e mysafirëve në shtëpi, shëtitjet popullore, gëzimi, hareja dhe argëtimet e rastit. Ditë e veçantë është e diela. Ajo quhet dita e “Faljes" (“Ndjesës”). Në këtë ditë është bërë traditë që njerëzit t’u kërkojnë falje të tjerëve dhe vetë të falin të tjerët. Më parë pikërisht në këtë ditë zhvillohej riti i përcjelljes së Maslenicës. Në qytete të ndryshme të Rusisë bënin një dordolec të madh prej kashte, i cili simbolizonte dimrin, dhe në mënyrë solemne e digjnin apo e varrosnin atë. Në fund të viteve ‘80-të, kur jeta fetare filloi të ringjallet në vend, ky ritual u bë gjithashtu tradicional për shumë besimtarë orthodhoksë. Megjithatë, thekson kleriku Igor Fomin, djegia e dordolecit nuk ka asgjë të përbashkët me krishterimin:

- Ky është një akt thjesht pagan. Ai është ringjallur jo shumë kohë më parë dhe Kisha mban ndaj tij një qëndrim krejtësisht negativ.

Ndër simbolet kryesore të Maslenicës janë të ashtuquajturët blini (paraçinkat, krepat). Amvisat e mira kanë recetën e vet "të veçantë" të përgatitjes së tyre. Të gjithë ata që dëshirojnë mund t’i provojnë palaçinkat gjatë kohës së shëtitjeve popullore në qytete të ndryshme të Rusisë. Në Moskë Maslenica do të festohet në gjashtëmbëdhjetë parqe të mëdha urbane. Në programin festiv janë planifikuar më shumë se 500 aktiviteve të ndryshme! Moskovitët dhe vizitorët e kryeqytetit rus do të kenë mundësi të matin forcat në konkurse të shumëllojshme, në lojëra popullore, të bëhen pjesëmarrës të marshimit karnaval dhe të kënaqen me shfaqjet e teatralizuara që do të organizohen në rrugët e Moskës.