0Në interjerin e avionit me korpus (trup) të gjerë mund të vendosen 10 kolltuqe pasagjerësh në një rresht - çka është pothuajse dy herë më shumë se në sallonin e një aeroplani të zakonshëm. Makinë e parë e kësaj klase u bë legjendari “Boeing-747”, i krijuar në vitet ‘60-të. Ajo vazhdon të përdoret me sukses edhe sot e kësaj dite.

Edhe Rusia ka një aeroplan të ngjashëm, ai është projektuar në epokën sovjetike - “Il-96” (russ. “Ил-96”). Në historinë e vet më shumë se 20-vjeçare makina e kësaj klase nuk ka pësuar asnjëherë karastrofa ajrore. Por ajo rezulton e vjetëruar moralisht dhe tashmë nuk është më në gjendje të konkurrojë me homologët e huaj perëndimorë. Rusisë i duhet një avion i ri i madh, mendon eksperti rus Roman Gusarov:

- Ne duhet të përvetësojmë medoemos teknologjitë e reja dhe t’i aplikojmë ato në degën e industrisë së ndërtimit të avionëve, gjë që kemi filluar tashmë ta bëjmë. Hapi ynë i parë drejt këtij pikësynimi - avioni “Sukhoi Superjet 100”. Ai është vënë tani në prodhim serik. Hapi i ardhshëm është konstruktimi i avionit me korpus (trup) të ngushtë “MS-21” (russ. “МС-21”). Ky është një plan për realizim në vitet 2017-2018. Nëse do të dalë i suksesshëm projekti në fjalë, atëhere në vitin 2025 është plotësisht real fillimi i krijimit të avionit me korpus (trup) të gjerë.

Ekspertët theksojnë se projekte të tilla janë gjithmonë shumë të shtrenjta. Programi për krijimin e “Boeing 787 Dreamliner” është vlerësuar në 32 miliardë dollarë. Se çfarë shume është planifikuar të shpenzohet për krijimin e aeroplanit rus me korpus të gjerë, nuk bëhet ende e ditur. Sipas njoftimeve të mediave, gjatë zhvillimit të punimeve konstruktuese do të përdoren në mënyrë aktive zhvillimet e projektit “MS-21”- certifikimi i tij është planifikuar për vitin 2016. Ky avion duhet të bëhet konkurrent i aeroplanëve të fluturimeve në distanca të mesme Airbus “A320” dhe “Boeing-737”.

Avioni rus i distancave të shkurtra të fluturimit “Sukhoi Superjet 100” ka marrë tashmë qasje në tregjet botërore. Kompania ajrore meksikane Interjet deklaroi mbi synimin e vet për të zëvendësuar në fluturimet e brendshme aeroplanët Airbus “A320” evropianë me avionët rusë. Janë arritur tashmë disa marrëveshje për furnizimin e avionëve “Sukhoi Superjet 100” në vendet e Azisë Jug-Lindore.

Kërkesa për aeroplanë me korpus (trup) të gjerë është shumë e madhe. Ndërsa perspektivat e zhvillimit të këtij tregu janë të lidhura me Kinën dhe Azinë Jug-Lindore, ku trafiku i pasagjerëve rritet shumë më shpejt se në Amerikën e Veriut dhe në Evropë. Ekspertët besojnë se Korporata e Bashkuar e Prodhimit të Aeroplanëve e Rusisë ka një shans të mirë për të forcuar pozitat e veta në këtë treg.

0Megjithatë kjo duhet të bëhet brenda pesëmbëdhjetë apo njëzet viteve të ardhshme. Dhe puna nuk qëndron vetëm te konkurrenca nga ana e “Boeing” dhe “Airbus”. Kina ka gjithashtu planet e veta në tregun aziatik të aeroplanëve të destinuar për fluturimet në distanca të largëta. Kurse kjo, nga ana e vet, mund t’i komplikojë në mënyrë të qenësishme jetën prodhuesve rusë të aeroplanëve.