0Majmuni 14-vjeçar femër me emrin Elza u soll në pavijonin e kirurgjisë nga kopshti zoologjik i Krasnojarskut - një tjetër qyteti siberian ky që ndodhet rreth një mijë kilometra nga Novosibirsku. Kohët e fundit stafi i kopshtit zoologjik filloi të konstatojë gjithnjë e më shpesh se diçka e shqetëson majmunin. Elza lëvizte më pak dhe rrallëherë kalonte nga një vend i rrethuar me mur për koloninë e majmunëve në tjetrin. Mjekët që në atdhe i patën vënë majmunit të gjelbër diagnozën "kataraktë". Dhe, duhet thënë, se sëmundja e cila tek kafshët, sipas fjalëve të veterinerëve, takohet po aq shpesh sa dhe tek njerëzit, i kishte prekur tashmë të dy sytë majmunit të ngratë, tregoi veterinerja okuliste Kira Kondakova:

- Majmunin na e sollën për diagnostikim me një diapazon (fushë shikimi) mjaft të vogël vizual. Unë mendoj se po të mos ishin marrë masat e duhura, pas 2-3 muajsh Elza do ta kishte humbur plotësisht shikimin.

Kirurgët nga Novosibirsku e trajtuan me përkujdesje të veçantë dhe kureshtje të madhe këtë paciente ekzotike. Operacione të mikrokirurgjisë së syrit tek majmunët në Rusi janë bërë vetëm disa herë në Moskë dhe Shën Petersburg. Ndërsa në Siberi operacione të tilla nuk janë kryer kurrë ndonjëherë më parë.

Operacioni zgjati pak më shumë se gjysmë ore. Elza nuk ndjeu asgjë. Atë e vunë në gjumë të thellë. Mjekët ishin të shqetësuar në lidhje me faktin se si do t’i dilte majmunit narkoza, tha veterinerja anesteziste-reanimatore Viktoria Manuillova:

- Një paciente e tillë e vogël ekzotike..., ne menduam se masa trupore e saj do të ishte më e vogël. Ndërsa në të vërtetë doli se ajo peshonte plot 4 kg. Elza e suportoi për mrekulli gjithë operacionin dhe reagoi në mënyrë plotësisht adekuate ndaj nesh. Ne nuk patëm asnjë problem me të.

0Tani majmuni Elza është kthyer në shtëpi, në kopshtin zoologjik të qytetit siberian të Krasnojarskut. Nga klinika veterinare e Novosibirskut atë e “nxorrën nga spitali” disa orë pas operacionit. Vërtetë, së shpejti ajo do të kthehet sërish në Novosibirsk, tashmë për operacionin në syrin tjetër.