Rezervat e heliumit të lëngshëm, të nevojshme për ftohjen e matricës dhe pasqyrave të teleskopit orbital me rreze infra të kuqe “Herschel”, mund të shterrojnë në ditët e afërta, çka shënon fundin zyrtar të misionit të tij dhe fillimin e operacionit për largimin e teleskopit nga orbita.

Në aparatin “Herschel”, të quajtur kështu në nder të astronomit britanik William Herschel dhe të lëshuar në orbitë më 14 maj të vitit 2009, është instaluar teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm me rreze infra të kuqe në kozmos. Diametri i pasqyrës së tij është 3.5 metra, çka i lejon atij të kapë rrezatimin nga objektet më të ftohta të Universit.