0Si pasojë Planeti i Kuq mund të plasaritet, boshti i Marsit mund të ndryshojë, kurse në sipërfaqen e tij të duket uji. Banorët e Tokës nuk duhet të shqetësohen, i qetësojnë njerëzit shkencëtarët - Toka nuk do të preket në kurrfarë mënyre nga kjo ndodhi.

Shkencëtarët kanë llogaritur se në tetor të vitit 2014 kometa S/2013 A1 do të fluturojë në një distancë prej 37.000 kilometra nga sipërfaqja e Marsit. Llogaritjet saktësohen dhe riverifikohen vazhdimisht, ndërkaq shkencëtarët pajtohen megjithatë me mendimin se propabiliteti i përplasjes së dy trupave qiellorë është shumë i lartë. Por në qoftë se shkencëtarët janë të aftë të parashikojnë përplasjen, pasojat e kësaj ngjarjeje është praktikisht e pamundur të llogariten. Ja komenti i këshilltarit shkencor të Korporatës ruse "Energia" Viktor Sinjavskij:

- Përplasja me kometën mund ta ndajë planetin, të ndryshojë boshtin, të ndryshojë klimën e tij dhe gjithçka të mundshme! Vetë kometa mbart një sasi shumë të madhe hidrogjeni. Është tejet e vështirë të bëhen ndofarë parashikimesh. Në qoftë se përplasja do të ndodhë, kjo do të ushtrojë një ndikim të qenësishëm në këtë planet. Kjo është e padiskutueshme.

Pajtohet me këtë pozicion edhe redaktori i revistës ruse "Aviapanorama" (russ. "Авиапанорама" ) Sergei Filipenkov. Sipas mendimit të ekspertit, Marsi në çdo rast do të preket nga kjo kometë:

- Për Marsin - si planet - kjo do të jetë e rrezikshme. Së pari, gjatë përplasjes do të ndodhë çlirimi i energjisë, që korrespondon me një shpërthim shumë të fuqishëm termobërthamor. Së dyti, nëse kjo kometë do të jetë prej akulli, atëhere uji që përmban ajo do të derdhet në Mars. Dhe meqenëse në Mars atmosfera është shumë e hollë, ky ujë do të kthehet menjëherë në akull. Me shumë gjasa në vetë këtë planet do të mbetet vraja. Atje tashmë ekziston një kanion me gjatësi në disa qindra kilometra, i cili u krijua në Mars nga përplasja e mëparshme me një asteroid të fuqishëm dhe jo me kometë, që shkaktoi si rezultat zhdukjen e gjithë atmosferës së tij.

Disa shkencëtarë kanë llogaritur se përplasja e parashikuar mund të krahasohet me shpërthimin e 20 miliardë kiloton tritoli. Por distancat kozmike janë kaq të mëdha, saqë banorët e Tokës, ka të ngjarë, të mos i ndjejnë fare pasojat e kësaj ndodhie. Kështu që nuk i duhet patur aspak frika përplasjes së mundshme të Marsit me kometën, shprehet me bindje Viktor Sinjavskij:

- Nuk ka ndikim të planeteve të tilla mbi Tokën tonë. Po, Dielli ushtron ndikim, Hëna ushtron ndikim - në aspektin e baticave-zbaticave, në ruajtjen e drejtimit të boshtit, domethënë ka një efekt ekskluzivisht pozitiv në stabilizimin, ruajtjen (konservimin) e Tokës. Kurse këto planetet e tjera nuk ushtrojnë asnjë lloj ndikimi. Unë nuk shoh asnjë arsye për të menduar se përplasja e kometës me Marsin do të prekë disi Tokën.

0Kometa S/2013 A1 u zbulua në janar të këtij viti nga shkencëtari australian Robert McNaught. Sipas llogaritjeve të astronomëve rusë, ajo do të fluturojë në një distancë prej 105.000 kilometra nga qendra e Marsit më 19 tetor të vitit 2014.