0Gjatë dekadës së fundit tradita e pikturës ruse ka pësuar ndryshime të qenësishme. Piktura akademike po i tërheq gjithnjë e më pak artistët e rinj - sepse përvetësimi i të gjitha teknikave e hollësive të mjeshtërisë është shumë i vështirë dhe kërkon përkushtim e kohë të gjatë, ndërsa arti bashkëkohor, në shikim të parë, hap shumë më tepër perspektiva përpara artistit.

Në pikturën e artistit nga Krimeja Sergei Grigorash ndihet qartë ndikimi i klasikëve të artit rus të pikturës, dhe, mbi të gjitha, i të famshmit Ivan Aivazovski, pejzazhet detare të të cilit janë shumë të dashura e të pëlqyera në të gjithë botën.

- Shtëpia ime është 200 metra nga deti, dhe zhurma e tij krijon një atmosferë magjike që e pozicionon njeriun një valë të veçantë - tregoi në një intervistë me "Zërin e Rusisë" Sergei Grigorash. - Secili ka raportin e vet me detin, ndërsa për mua ky është vendi ku unë ndjej harmoninë e botës.

Piktori thotë se ka qenë njeri me fat në jetë. Të pikturuarit e detit është për të një gëzim, kënaqësi e vërtetë. Duke treguar për punën e vet ai vazhdimisht buzëqesh: është një lumturi të madhe kur procesi krijues e bën artistin të lumtur, ndërsa pikturat që ai krijon tërheqin gjithmonë vëmendjen e shikuesve.

- Deti nuk mund të të mërzitet kurrë, - thotë Sergei Grigorash. - Ai është si një organizëm i gjallë që merr frymë e ndryshon çdo sekondë. Është një kënaqësi e vërtetë, e pamatë kur shikon detin e tallazuar si shfryn, dallgët që ndjekin njëra-tjetrën me kreshta të bardha të shkumbëzuara dhe nuk përsëriten kurrë. Dhe kjo i jep stimul, nxitje artistit për improvizim.

Piktori nuk i tradhëton asnjëherë traditat e mjeshtrave të vjetër: ai realizon qindra skica nga natyra, të cilat bëhen më pas material pune për tabllotë e ardhshme. Sergei Grigorash pranon se këto skica të gjalla, të hedhura shpejt e me dorë të lirë në letër, ngandonjëherë janë për të më të shtrenjta madje dhe se pikturat e mëdha, mbi të cilat ai punon në mënyrë shumë skrupuloze e të kujdesshme në studio.

Bashkë me këtë ai nuk refuzon edhe përdorimin e teknologjive moderne: për studimin e strukturës së dallgës, detajeve të saj të pakapshme për syrin e njeriut, artistin e ndihmojnë fotografitë - foto në formatin makro e ndihmon atë për të kuptuar shumë gjëra.

- Në qoftëse fotografitë janë vetëm materiale ndihmëse, mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse ju i përdorni ato, - thotë piktori. - Por kur artisti e merr fotografinë dhe e ndan atë në kuadrate të vogla duke e riprodhuar më pas me kujdes atë - kjo nuk është thjesht punë e keqe, ajo është menjëherë e dukshme. Këto vepra nuk rrezatojnë dritë, nëse mund të shprehemi kështu, janë pa shpirt, nuk përcjellin ndjesi dhe emocione, ato janë të vdekura.

0Rrethi i interesave të Sergei Grigorash nuk kufizohet vetëm me pejzazhet detare - ai pikturon natyra të qeta, pejzazhe urbane dhe ndonjëherë portrete. Por deti sikur i beson atij, i zbulon me bujari piktorit sekretet e veta. "Duhet të merresh me atë punë që di të bësh më mirë”, - thotë me modesti Sergei Grigorash.