0Të dhënat e radhës mbi papunësinë, të publikuara në fund të javës së kaluar, lejuan përsëritjen e rekordit të trishtuar në vendet e zonës së euros dhe në të njëjtën kohë dëshmuan rënien e mëtejshme të kapacitetit blerës të popullsisë. Dhe madje vetëm kjo ishte e aftë të tingëllonte me një muzikalitet gati në mi minor për gjendjen shpirtërore të anëtarëve të Eurogroup-it dhe Ecofin-it. Por në këtë mesele ndërhynë edhe realitetet politike italiane, dhe tani pjesëmarrësit e forumeve do të duhet të merren njëkohësisht me diskutimin e dy problemeve të ndërlidhura - si të mbështetet ekonomia e dobët e zonës së euros dhe si të luftohet “paqëndrueshmëria politike në rritje”.

“Pikat nevralgjike” kryesore në hartën e eurozonës janë aktualisht Greqia dhe Italia. Në fund të marsit qeveria greke shpreson të marrë nga huadhënësit ndërkombëtarë këstin e radhës prej 2.8 miliardë €. Ministri grek i Financave, Yannis Stournaras, në intervistën e vet dhënë gazetës greke “To Vima” ka përcaktuar, si i thonë fjalës, "koston e çështjes". Kjo, ndër të tjera, parashikon reduktimin e mëtejshëm të numrit të nëpunësve civilë, dhe madje pa kompensim monetar për pushimin nga puna. Për 1.5 vitet e kaluara nga sektori shtetëror tashmë janë pushuar 75.000 vetë. Urdhëresa për vitin 2013, e lëshuar nga Brukseli, përfshin shkurtime të reja edhe për 25.000 punonjës të tjerë të sektorit shtetëror. Është plotësisht e qartë se këto kërkesa nga ana e kreditorëve kanë një karakter ultimativ. Por po kaq evidente është gjithashtu se masat e mëtejshme shtrënguese të qeverisë mund të destabilizojë akoma dhe më shumë situatën politike në vend, ku niveli i papunësisë po i afrohet treguesit 30%.

Në Itali kriza financiare nuk ka arritur ende shkallën drastike të asaj greke, por zgjedhjet parlamentare të shkurtit demonstruan bindshëm se tendencat destabilizuese janë të pranishme edhe në Gadishullin Apenin. Por është e parakohshme megjithatë të profetizohet kolapsi i monedhës unike, theksoi në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" financieri rus Aleksei Kuznecov:

- Me monedhën euro sigurisht ka probleme, por është e palogjikshme, madje e pamundur, të deklarohet se dollari në sfondin e rënies së vlerës së euros është një monedhë që po përjeton lulëzim. Ndërkaq, duhet thënë, se ekonomia botërore është ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk mund të ekzistojë pa një monedhë rezervë. Kurse tani për tani asnjë ekspert serioz nuk mund të ofrojë ndonjë alternativë të çiftit dollar/euro.

0Ndërsa udhëheqja e BE-së po përpiqet me të gjitha mënyrat për t’i qetësuar qytetarët e vendeve evropiane dhe, në radhë të parë, investitorët potencialë, duke deklaruar se nevoja për marrje vendimesh nuk është aspak urgjente. I gjithë problemi konsiston në faktin, mos do të vonojë Brukseli me ndërmarrjen e hapave konkretë. Sepse për shpëtimin e po asaj Greqie BE-ja dhe FMN-ja, duke filluar që nga viti 2010, kanë investuar tashmë 240 miliardë kredi "anti-krizë". Por edhe injeksione të tilla kaq të fuqishme nuk mundën të përmirësojnë, të shëndoshin në mënyrë kardinale situatën socio-ekonomike.