0Megjithatë, duhet thënë, se në historinë botërore ky nuk është rasti i parë kur vendin e drejton një njeri i sëmurë rëndë.

Historitë rreth asaj se si vendet janë udhëhequr nga sundimtarë me probleme serioze shëndetësore janë të njohura që nga kohërat e lashta. Në mesjetë ishte një praktikë e zakonshme mbajtja në fron e ndonjë fëmije apo mbreti me të meta mendore gjatë drejtimit faktik të regjentëve, këshilltarëve e kështu me radhë. Ka një masë shembujsh të tillë edhe në të kaluarën jo fort të largët. Presidenti i 20-të amerikan James Abram Garfield pothuajse gjysmën e kohës së presidencës së tij e ka kaluar i mbërthyer në shtrat për shkak të plagës së marrë në kurriz dhe dëmtimit si pasojë të shtyllës kurrizore. Ka shembuj edhe nga historia e periudhës sovjetike, kujton analisti politik rus Andrei Klimov:

- Për shembull, Udhëheqësi sovjetik Konstantin Çernenko nuk ishte gjithashtu njeri fort i shëndetshëm. Dhe në mënyrë që të demonstrohej kapaciteti dhe aftësitë drejtuese të Udhëheqësit organizonin, në veçanti, zgjedhje me pjesëmarrjen e tij. Për këtë qëllim dhoma e spitalit, ku ai rrinte i shtrirë, dekorohej tamam si platformë elektorale prej nga ku Konstantin Çernenko drejtonte procesin e zgjedhjeve. Ndërkohë të gjithë e kuptonin për mrekulli se qëndrimi i tij në pushtet ishte thjesht rezultat i punës së shkëlqyer të mjekëve.

Nga pavioni i spitalit ka drejtuar për një kohë të gjatë vendin edhe Lideri kuban Fidel Kastro. Vërtetë, ai për çdo rast shpalli apriori si pasardhës vëllanë e tij të vogël Raul Kastro, i cili më pas mori zyrtarisht në duart e veta timonin e drejtimit të Kubës. Prandaj sëmundja e Udhëheqësit të Kubës nuk ka shkaktuar ndonjë rrëmujë të madhe. Kurse Venezuela është tjetër punë. Në këtë vend rezulton shumë e fortë pozita e kundërshtarëve të regjimit. Zgjedhjet e fundit Hugo Chavez i fitoi me një diferencë fare të vogël nga rivali i tij dhe praktikisht menjëherë pas kësaj iu nënshtrua operacionit të radhës, mbas të cilit u zhduk nga skena politike. Edhe pse ai i paraqiti popullit Zv/Presidentin Nicolas Maduro si pasuesin e tij, ky skenar politik duket megjithatë shumë i dobët, i lëkundur. Prandaj dhe po përpiqen forcat drejtuese në Venezuelë për ta mbajtur për një kohë sa më të gjatë Hugo Chavez në postin presidencil, thotë Presidenti i Institutit rus të Strategjisë Kombëtare Mihaill Remizov:

- Ky është një problem për të gjitha regjimet që ndërtohen mbi popullaritetit personal. Qëndrueshmëria e tyre varet nga shëndeti fizik, psikik (mendor) i personit të parë. Prandaj kur lindin probleme me shëndetin e tij, njerëzit e rrethit të ngushtë përpiqen të mos zbulojnë për një kohë maksimalisht të gjatë informacionin që ka të bëjë me këtë fakt dhe përpiqen të gjejnë gjithfarë mënyrash për t’i zgjatur jetën regjimit tashmë pa mbështetje në personin e parë.

0Mbështetësit e Hugo Chavez deklarojnë se janë të bindur në rimëkëmbjen, shërimin e Presidentit. Nëse Hugo Chavez nuk do të jetë në gjendje për të kapërcyer sëmundjen, atëhere mbi vdekjen e tij do të shpallet më së shumti pas tre ose katër ditësh. Fshehja për një kohë të gjatë e kësaj është e paligjshme dhe thjesht idiotike, mendojnë ekspertët. Por përsa kohë që presidenti merr frymë, qoftë dhe me ndihmën e aparatit që e mban në jetë, atë nuk do të mund ta pengojë dot askush që të mbetet kryetar shteti.