0Sipas statistikave, macet jetojnë në çdo familje të tretë ruse. Atyre u japin më shumë preferencë se sa qenve, sepse këto janë kafshë shtëpiake shumë të thjeshta, pa shumë pretendime. Macet janë psikologe të holla, të rafinuara dhe mbrojtëse të vërteta të zotërve të tyre dhe jo vetëm nga minjtë, shprehet me bindje të plotë zoologu rus Anton Evsejev:

- Macja është një shoqëruese dhe mike shumë e mirë. Nuk duhet menduar kurrë se maçoku nuk është në gjendje për të mbrojtur të zotin. Ka jo pak shembuj që dëshmojnë se si e kanë ruajtur macet shtëpinë. Ka pasur madje raste kur ato janë kacafytur me grabitësin. Kjo vlen për maçokët e mëdhenj të racës Maine Coon. Ka pasur raste kur macet kanë mbrojtur njerëzit nga kafshët e egra. Unë kam parë një filmim ku maçoku iu hodh krokodilit për të shpëtuar të zotin. Macet mbrojnë gjithashtu fëmijët. Dhe, sigurisht, ato janë shumë të ndjeshme, macet arrijnë të kuptojnë për mrekulli gjendjen shpirtërore të të zotit. Në qoftë macja e ndjen se nuk duhet t’i afrohet në një moment të caktuar njeriut, ajo nuk e bën këtë. Por sapo e kupton se i zoti ka nevojë për komunikim, ajo i përqallet menjëherë atij me ledhatime e kërrnjime.

Galeria fotografike: Dita Ndërkombëtare e Maceve

Adhuruesit e maceve konfirmojnë se mjafton të lëmosh me dorë leshin e butë të maces dhe kerrnjimi i ëmbël i saj të bën të harrosh fare lodhjen e gjithë ditës. Kuratorja e Muzeut të Maceve në Shën Petersburg Galina Krillova thotë si vijon:

- Macet zotërojnë aftësinë për të shëruar njeriun. Macja shtrihet në vendin e sëmurë të trupit të njeriut dhe dhimbja pas pak kohe kalon. Por jo të gjitha macet janë të afta për trajtim mjekësor. Aftësi më të spikatura medicinale kanë macet pa qime. Përveç dobisë së provuar nga zënia e minjve, macet ndihmojë për të krijuar rehati e komfort në shtëpi.

Por mos harroni megjithatë se kjo krijesë e mrekullueshme me gëzof është, para së gjithash, kafshë grabitqare. Kështu, në Zelandën e Re po diskutohet seriozisht mundësia e vendosjes së ndalimit për mbajtjen e maceve në shtëpi, sepse ato po asgjësojnë në masë zogjtë, shumë prej të cilëve i përkasin specieve unike. Macet u sollën në ishull shumë vite më parë dhe ato kanë bërë tashmë ndryshime serioze në faunën lokale.

Në të gjithë botën imazhet e maceve tirazhohen në T-shirts, në filxhanë porcelanë çaji, në kalendarë. Macet e stampuara në veshje janë një temë e preferuar e të gjithë modelierëve më të njohur. Motivet me vijat e tigrit dhe pullat e leopardit nuk po dalin jashtë modës që prej disa dekadash. Në Internet kanë dalë madje dhe superstarët e botës së maceve. Miliona njerëz shikojnë çamarrokllëqet e dredhitë e maceve në YouTube dhe rrjetet sociale. Ndërsa në Shën Petersburg dhe Ekaterinburgut ekzistojnë madje kafene dhe restorante, ku gjithkush që dëshiron mund të hajë qofte së bashku me kanakaren e vet të adhuruar.

0Përveç kësaj, në Rusi maceve i besojnë vlerësimin e cilësisë së ushqimit. Kështu, për shembull, në Pskov gjatë kremtimit të pritshëm në muajin mars të festës së Maslenicës (festa e funddimrit - e përcjelljes së dimrit, e fillimpranverës) në panairin e qytetit macet do të degustojnë produktet e qumështit dhe të mishit.