0Ndonjë hop të qenësishëm në çështjen e programit bërthamor iranian, takimi që u mbajt në Alma-Ata më 26-27 shkurt, nuk solli. Megjithatë, ekspertët kanë vënë re përparime të caktuara në zgjidhjen e problemit.

Prioritet në këtë fazë të negociatave është arritja nga Irani e pezullimit të pasurimit të uraniumit deri në 20 për qind në objektin e tij në qytetin Fordu. Pozicionin e "Grupit të Gjashtëshes" (SHBA, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania) e parashtroi për gazetarët Zëvendësministri i Jashtëm rus. Sipas fjalëve të Sergei Rjabkov, nëse pala iraniane do të bjerë dakord me këto propozime, atëhere "Gjashtëshja" është e gatshme për të lehtësuar presionin e sanksioneve dhe për të mos vendosur sanksione të reja nëpërmjet linjës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

SHBA-ja, aleatët e saj evropianë dhe Izraeli dyshojnë se Irani nën maskën e programit paqësor bërthamor po zhvillon armën bërthamore. Teherani, nga ana e vet, deklaron se zhvillimet e tij janë të drejtuara ekskluzivisht për zgjidhjen e problemit të sigurimit të vendit me energji elektrike. Dhe, pavarësisht sanksioneve shumëvjeçare - të vendosura si nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ashtu dhe disa shtete të veçanta - ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga programi i vet bërthamor, beson eksperti i Institutit të Studimeve Orientale të Akademisë ruse të Shkencave, Vladimir Sazhin:

- Irani nuk do të heqë dorë në asnjë rrethanë nga programi i vet bërthamor - madje as nën kërcënimin e bombardimeve. “Gjashtëshja” insiston që në këtë program të mos mbeten kurrfarë elementësh të dyshimtë, të cilët mund të konsiderohen si një dimension ushtarak. Gjëja kryesore që kërkon “Gjashtëshja” nga Irani është transparenca e programit bërthamor, dhënia e qasjes inspektorëve të ANEA-s në të gjitha objektet e tij. Tani për tani nuk mund të thuhet se janë bërë ndofarë hapash të ndjeshëm, por një gjë e tillë, në fakt, dhe nuk pritej nga askush. Problemi kryesor konsiston në mungesën e besimit mes palëve negociatore.

E megjithatë ky takim, edhe pse nuk është shënuar nga deklarata të bujshme, demonstroi njëfarë përparimi në negociata. Për shembull, më parë negociatorët perëndimorë këmbëngulnin kategorikisht për refuzimin total të pasurimit të uraniumit nga Teherani. Kurse tani fjalë bëhet për zvogëlimin e koncentrimit të materialit të përftuar. Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Saeed Jalili, tashmë deklaroi se në kushte të tilla vendi i tij është i gatshëm për të vazhduar dialogun. Të gjithë duhet të njohin të drejtën e iranianëve për të pasuruar uraniumin, por deri në 20% apo 5% - kjo është një çështje tjetër, sqaroi ai.

0Ndërkohë "Gjashtëshja" dhe delegacioni iranian përpiluan grafikun për punën e tyre të ardhshme. Më 17 mars në Stamboll do të takohen ekspertët, të cilët do të diskutojë aspektet teknike të bashkëpunimit. Negociatat do të vazhdojnë në përbërje të plotë në prill 5-6 prill dhe sërish në Alma-Ata të Kazakistanit.