0Kryetari i shtetit rus shprehu keqardhjen e tij që diskutimi "kaloi në rrafshin konfrontues". "Biblioteka nuk i përket ndonjë komuniteti të caktuar hebre", vuri në dukje Vladimir Putin:

- Ajo i përket gjithashtu edhe komunitetin tonë hebre rus, dhe, në përgjithësi, biblioteka është në pronësi të shtetit rus, para së gjithash. Nëse ne të fillojmë të kënaqim tani të gjitha kërkesat (paditë) e këtij lloji, atëhere pretendimet e kësaj natyre nuk do të kenë fund e krye.

E ashtuquajtura Bibliotekë e Schneerson-it është një koleksion i literaturës fetare hebreje që përbëhet nga 12.000 libra dhe 50.000 dorëshkrime, të cilat janë mbledhur që prej vitit 1772 nga rabinët Hasidë që patën jetuar në lokalitetin e Ljubaviç (Lubavich) të gubernës Mogilevskaja të Perandorisë Ruse (aktualisht - Rajoni Smolensk i Rusisë). Në vitin 1915, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Rabini Yosef Yitzchak Schneerson një pjesë të Bibliotekës e dorëzoi për ruajtje në depozitën e librave të Moskës, e cila në vitin 1918 u shtetëzua. Pjesën tjetër të koleksionit - rreth 25.000 faqe dorëshkrimesh - Schneerson e transferoi fillimisht në Riga (Letoni), kurse më pas e përcolli në Poloni. Atje, në vitin 1939 kjo pjesë e koleksionit ra në duart e nazistëve dhe përfundoi si rezultat në Gjermani. Pas rënies së Rajhut të Tretë arkiva e Schneerson së bashku me dokumente të tjera si trofe lufte u soll në Moskë. Vetë Rabini Schneerson ndërroi jetë në vitin 1950 pa lënë kurrfarë amanetesh në lidhje me bibliotekën.

Çështja në fjalë u bë aktuale përsëri pas marrjes në gusht të vitit 2010 të vendimit prej gjyqtarit federal të Uashingtonit, Royce Lamberth, për kthimin e librave të Schneerson komunitetit amerikan të Hasidëve. Kurse dy vjet më vonë po ai gjyqtar vendosi t’i paraqesë Rusisë "defterin e llogarisë".

Pozicionin parimor të Moskës në lidhje me të gjitha këto vendime e shprehu këto ditë, gjatë intervistës së vet televizive, Ministri i Kulturës i Rusisë, Vladimir Medinski:

- Nëse ne duhet t’ia japim atë që është nacionalizuar në vitet ‘20-të ndokujt, atëhere, duhet thënë, se nuk është aspak e qartë se kujt konkretisht dhe mbi çfarë bazash ligjore i paraqet pala njoftuese pretendimet e veta. Cilët përfaqëson ajo në realitet? Hasidët jetojnë në të gjithë botën dhe komunitete të tilla të respektuara hebreje ekzistojnë edhe në vendin tonë. E pra, i bie që tani të ngremë nga vendi e të transferojmë sfinksat, të demontojmë obelisqet nga qendra e Parisit. Kjo thjesht do të shkatërrojë sistemin e marrëdhënieve kulturore dhe ligjore ndërkombëtare në mbarë botën. Prandaj kjo kërkesë është krejtësisht absurde.

0Ministria e Jashtme e Rusisë i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Hasidëve amerikanë, duke i quajtur vendimet gjyqësore në favor të tyre "ligjërisht të shfuqizuara". Negociatat rreth Bibliotekës së Schneerson ende nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati, ndërsa lufta gjyqësore për librat me të gjitha atributet e veta skandaloze mori nam të madh. Dhe, me siguri, Rabini legjendar Schneerson do të ishte habitur pa masë po të mësonte se çfarë skandali i madh plasi rreth koleksionit të tij tashmë në shekullin e ri.