0Në bazë të procesit në fjalë qëndron metoda e prodhimit të fibrave të mishit nga qelizat e indeve të muskujve të kafshëve, të përftuara me anë të biopsisë. Këto fibra i ngjeshin (i presojnë) në forma të ndryshme, kurse më pas i rrisin në një bioreaktor. Zhvilluesit e quajnë me shaka pajisjen, e cila i jep lëndës fillestare formën e biftekut - printer, kurse vetë lëndën e parë - biongjyra (biobojëra), me të cilat mund të pikturohet bota e mrekullueshme e së ardhmes pa dhunë ndaj kafshëve. Në mënyrë të ngjashme kompania Modern Meadow planifikon të lansojë edhe prodhimin e mallrave prej lëkure.

Ideja e marrë në vetvete është e denjë për respekt. Ju mund të imagjinoni se sa jetë kafshësh do të shpëtojnë analogët "artificialë" të mishit dhe lëkurës. Përveç kësaj, është plotësisht e mundur që në të ardhmen kjo metodë të dalë shumë më ekonomike se sa cikli i plotë i prodhimit të mishit natyral, i cili fillon që nga rritja e kafshëve, mbajtja, përkujdesi, ushqimi i tyre, kurse më pas therja, transportimi e kështu me radhë.

Megjithatë, nuk është absolutisht e qartë se çfarë ndikimi do të ushtrojë në shëndetin e njerëzve përdorimi i mishit artificial. Mendimin e vet e shprehu për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" mjekja dietologe ruse Marina Capoviç:

- Askush nuk e di se çfarë efekti do të ketë në shëndetin tonë "mishi" në fjalë pas 10-15 vitesh si dhe për brezat e ardhshëm. Pa kujtoni për një moment se çfarë euforie e pushtoi njerëzimin kur u krijuan produktet e para ushqimore të modifikuara gjenetikisht. Kurse tani ne jemi duke u kujdesur seriozisht që këto "kryevepra" të progresit shkencor të mos gjendet kurrsesi në tryezat tona. Praktika tregon se vetëm produkte natyrale janë të dobishme për shëndetin. Unë kam ndjekur me interes të madh fatin e këtij zhvillimi, por vështirë se do t’u rekomandoj ndonjëherë pacientëve të mi përdorimin e një mishi të tillë (artificial).

Shprehet gjithashtu skeptik në lidhje me krijimin e mishit artificial edhe Peter Shekaljov, i cili praktikon të ushqyerin vegjetarian:

- Unë, personalisht, mendoj se kjo ide është krejtësisht e pakuptimtë, sepse ata që duan të heqin dorë nga mishi, e refuzojnë përdorimin e tij edhe pa zëvendësues. Kurse ata që e duan mishin do ta perceptojnë si një fyerje idenë e krijimit të mishit artificial.

0Kështu pra, nëse do të jetë një revolucion i vërtetë mishi artificial në sistemin e ushqimit apo ideja e përdorimit të tij do të vdesë pa gjetur asnjë rezonancë tek konsumatorët, vetë koha do ta tregojë.