0Grupi i ri po krijohet në bazë të modelit të Skuadronit të Pestë operacional të Flotës Ushtarake Detare të Bashkimit Sovjetik (BRSS). Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë pikërisht ky skuadron është marrë me plotësimin e misioneve luftarake në rajonin e Detit Mesdhe. Në atë kohë armiku kryesor i Skuadronit sovjetik ishte Flota e Gjashtë operative e Marinës Ushtarake të SHBA-së. Por një vit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, më 31 dhjetor të vitit 1992, Skuadron i Pestë u shpërbë.

Megjithatë koha ka treguar tashmë fare qartë se ky ishte një hap i parakohshëm, i nxituar. Rajoni i Mesdheut, siç ka qenë ashtu dhe ka mbetur, epiqendër e konflikteve të interesit të fuqive kryesore botërore. Në mënyrë veçanërisht evidente kjo po shfaqet në vitet e fundit - ngjarjet e "Pranverës Arabe", përmbysja e Muammar Gaddafit në Libi, lufta e zgjatur civile në Siri. Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë gjatë një udhëtimi inspektimi në Flotën e Detit të Zi më 20 shkurt theksoi si vijon: në rajonin e Mesdheut janë përqendruar rreziqet më të qenësishme kërcënuese për interesat kombëtare të Rusisë.

Problemi që qëndron përpara nesh aktualisht është mjaft serioz. Do të duhet të krijohet sistemi i plotë i logjistikës për Skuadronin. Në ditët e sotme baza e vetme - po ashtu dhe objekti i vetëm ushtarako detar rus në vendet e huaja të largëta - është porti sirian i Tartus. Përveç kësaj, do të duhet të kryhet për dy ose tre vjet ripërtëritja e anijeve të Flotës së Detit të Zi, vë në dukje Këshilltari i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, ish-Komandanti i Flotës së Detit të Zi, Admirali Igor Kasatonov:

- Natyrisht, për realizimin e këtij pikësynimi janë të nevojshme shpenzime të mëdha, anije të reja. Pranimi i faktit, se gjeopolitikisht paraqitet jo vetëm i dëshirueshëm, por dhe i domosdoshëm zotërimi i një skuadroni të tillë, është vetëm për tu përshëndetur. Por shtetit do t’i duhet të mobilizojë të gjitha forcat për të krijuar një grup të tillë anijesh sipas modelit të Skuadronit të Pestë sovjetik.

Duhet të theksohet se problemit të ripërtëritjes dhe përsosjes së Flotës ruse të Detit të Zi udhëheqja e vendit po i kushton një vëmendje të përqendruar që prej disa vitesh. Aktualisht po ndërtohen 3 nëndetëse diesel-elektrike, 3 fregata. Përsa i përket qëllimeve të krijimit të një grupi të tillë, ato janë mëse të qarta, thotë Kryeredaktori i revistës “Eksporti i armatimeve” (russ. «Экспорт вооружений») Andrei Frollov:

- Unë mendoj se ky është, para së gjithash, demonstrimi i flamurit si dhe i disa ambicieve ruse në shkallë ndërkombëtare. Demonstrimi i faktit se pas 20 vjetësh Rusia arriti atë pozicion që ka patur në kohën e vet Bashkimi Sovjetik. Dhe, së fundi, demonstrimi i aftësisë për të reaguar në mënyrë më operative në çdo situatë të mbarsur me konflikt.

0Sipas mendimit të ekspertëve, dy apo tre vjet janë një afat plotësisht real për të zgjidhur problemin e rinovimit të flotës. Ndërkohë, besojnë ekspertët, këtë detyrë e kryejnë më së miri edhe anijet në dispozicion të Flotës Ushtarake Detare të Rusisë. Në Shtabin e Përgjithshëm rus raportojnë se bashkëveprimi në kuadër të Skuadronit të ardhshëm të Detit Mesdhe tashmë është praktikuar gjatë stërvitjeve të paradokohshme ushtarake detare, të cilat u zhvilluan në këtë rajon gjatë muajit janar.