Britania e Madhe dërgoi në drejtim të rajonit të Ishujve Falklands nëndetëse të afta për të mbajtur armë bërthamore, deklaroi Përfaqësuesi i Argjentinës në Konferencën e OKB-së për çarmatimin, Eduardo Zuain.

Sipas fjalëve të Eduardo Zuain, Londra po vazhdon të rrisë praninë e vet ushtarake në zonën e Ishujve Falklands, duke shkelur me këtë dispozitat e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1967 mbi ndalimin e armëve bërthamore në Amerikën Latine.

Konflikti rreth Ishujve Falklands nuk po rresht që nga viti 1982, kur midis dy vendeve shpërtheu lufta. Në vitin 2010 kompanitë britanike filluan eksplorimin e vendburimeve të naftës pranë arkipelagut, gjë kjo që çoi në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.