0Kanceri i mushkërive është vrasësi kryesor ndër sëmundjet onkologjike. Në Rusi nga ai preken çdo vit rreth 60 mijë persona. Por deri më sot atë shpesh herë e kanë kuruar verbërisht (në mënyrë intuitive): në qoftë se nuk funksionte një skemë trajtimi, atëhere provonin të dytën, të tretën e kështu me radhë. Koha kalonte me prova dhe gabime, ndërkohë që pacientit mund të mos i mbetej më shans për të jetuar.

Terapia e adresuar, e drejtuar është rrugëdalja e vetme për shumë pacientë, thonë me bindje hulumtuesit e Qendrës Shkencore Onkologjike ruse me emrin Bllohin në Moskë. Çdo tumor sillet në mënyrë të ndryshme. Kjo do të thotë se për çdo pacient i nevojitet një algoritëm personal trajtimi mjekësor. Shpesh ndeshen pacientë me diagnozë të njëjtë por njërit i nevojitet ndërhyrja kirurgjikale, kurse tjetrit vetëm kimioterapia. Dhe për më tepër kjo e fundit mjaft specifike.

Për një trajtim optimal nevojitet një parashikim i saktë i sjelljes së neoplazmës. Ai përpilohet nga onkologët rusë, të cilët bazohen në hulumtimet e veta shumëvjeçare. Ata formulojnë për çdo pacient një "pasaportë të detajuar të tumorit". Ajo përfshin në vetvete gjithçka që përcakton rrjedhën, dinamikën e sëmundjes - përmasat e tumorit dhe të gjitha ekzaminimet e kryera në lidhje me të. Për shembull, ato gjenetike dhe histologjike - analizën e strukturës së indit të prekur. Mjekët do të paraqesin në të gjithashtu të gjitha medikamentet, të cilat rezultuan si të padobishme gjatë trajtimit. Pasi rezistenca e neoplazmave ndaj medikamenteve është një problem shumë i mprehtë, madje nevralgjik.

Në “pasaportën e tumorit" do të merren në konsideratë edhe veset e këqija të pacientit - para së gjithash pirja e duhanit, e cila gjithnjë e më shpesh po shkakton kancer të mushkërive tek femrat. Në bazë të këtyre të dhënave mbi sëmundjen specialistët nuk do ta kenë dhe aq të vështirë për të bërë një parashikim të saktë për çdo pacient. Në këtë mënyrë sjellja e tumorit nuk do të duket dhe aq e paparashikueshme. Gjë kjo që do të thotë se do të bëhet më i lehtë trajtimi i tij.

Në thelb, ky është një revolucion në diagnostikimin dhe kurimin e kancerit, rishikim i të gjitha standardeve. Ekspertët rusë besojnë se me kalimin e kohës mënyra e trajtimit të adresuar (individual) mjekësor mund të aplikohet në të gjitha llojet e tumoreve.