Në fshatin Oktjaborskoje të qarkut të Polltavës në Ukrainë persona të panjohur i prenë kokat monumentit kushtuar Vladimir Leninit dhe gruas së tij, Nadjezhda Krupskaja. Kjo u njoftua në Facebook nga përfaqësuesi i partisë nacionaliste lokale "Svoboda", Aleksandër Aronec. Departamenti rajonal i policisë e konfirmoi informacionin në lidhje me dëmtimin e monumentit.

Aronec, i cili në partinë "Svoboda" është përgjegjës për marrëdhëniet me publikun, ka publikuar fotot e monumentit pa koka. Sipas tij, fotografitë u dërguan me e-mail. Anëtari i partisë e vlerësoi gjestin e "patriotëve të panjohur", duke kujtuar faktin e monumentit të rrëzuar së fundmi të Leninit në qytetin e Ahtirka. "Filloi vala dhe kjo është e mrekullueshme!", - shkruan ai.