Shkarko audiofailin
Presidenti rus Vladimir Putin ishte ndoshta i fundit nga kryetarët e shteteve që foli me Kryeministrin e Bullgarisë para dorëheqjes së tij. Dhe në këtë rast është e mundur vetëm të presupozohet nëse do ta kishte ndryshuar vallë situatën e krijuar rreth projektit të centralit bërthamor “Belene” vizita e planifikuar, gjatë bisedës telefonike, në Rusi e Bojko Borisov fatin e kabinetit bullgar të ministrave.

Një sërë ekspertësh në Moskë dhe në Sofje sot e lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë refuzimin e përfundimit të ndërtimit të centralit bërthamor me rritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe trazirat masive në Bullgari. Megjithatë, Kreu i Fondit rus të Sigurisë Energjetike Kombëtare, Konstantin Simonov, i përmbahet një tjetër këndvështrimi:

- Unë nuk mendoj se dorëheqja e Bojko Borisov është e lidhur me vendimin për elektrostacionin atomik “Belene”. Megjithëse vënia në shfrytëzim e centralit pas disa vitesh, sigurisht, që do të çonte në reduktimin e tarifave. Por bullgarët, duhet thënë, edhe kështu kishin çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në Evropë! Rritja dyfish e tyre pas 1 janarit të vitit 2013 nuk bëri gjë tjetër veçse i afroi çmimet bullgare me ato hungareze, çeke, sllovake. Z. Borisov, me sa duket, besonte se po aplikon një politikë energjetike kompetente, të arsyeshme. Ndërsa, në fakt, kabineti i tij i ministrave bëri shumë gabime. Dhe pasojat e tyre do të jenë fort të ndjeshme në vitet e ardhshme për popullsinë e vendit. Heqja dorë nga përfundimi i ndërtimit të centralit bërthamor “Belene”, mendoj, do t’i shkaktojë dëm të drejtpërdrejtë interesave kombëtare të Bullgarisë, e cila me lansimin e punës së centralit në fjalë do të mund të bëhej eksportuese reale e lëndës së parë në tregun e Ballkanit. Por duke prishur marrëveshjen bërthamore, me këtë Bojko Borisov ka luajtur në favor të Rusisë. Korporata Shtetërore ruse për Energjinë Atomike "Rosatom", e cila ka tashmë një paketë të madh projektesh - për ndërtimin e 35 reaktorëve bërthamorë në 15 vende - ka shpëtuar me kontestimin e porosisë nga pala bullgare, e cila, në fakt, nuk ishte aspak e leverdisshme, fitimprurëse për ne. Kompanitë tona kanë punuar në borxh. Dhe, me sa duket, punët me Sofjen ato do të duhet t’i sqarojnë në arbitrazhin ndërkombëtar. E përse duhet të krijonim ne tepricë të energjisë elektrike në tregun bullgar? Pse duhet të ndërtonim ne një central bërthamor atje ku furnizojmë gazin tonë natyror?

Një dëm akoma dhe më të madh i shkaktoi vendit refuzimi i kabinetit të ministrave të Bojko Borisov për të ndërtuar naftësjellësin “Burgas-Aleksandropolis”, mendon eksperti nga Moska. Bullgaria mund të përfitonte nga tranziti i naftës, me anashkalim të ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve, 30 milionë dollarë në vit, kurse në perspektivë edhe 50 milionë $. Sa do ti nevojiteshin këto para sot vendit më të varfër (sipas vlerësimeve të Eurostat) të BE-së, ku paga mesatare mujore është 400 € dhe niveli i papunësisë 10%. Varfëria, korrupsioni, krimi, masat shtrënguese të kursimit, rënia e standardit të jetesës - një llogari të tillë personale i paraqitën bashkëqytetarët ish-kryeministrit Borisov. Premtimet të tij për të ulur me 8% tarifat e energjisë elektrike njerëzit që dolën në rrugë tashmë nuk i dëgjuan.

Duke lënë postin e vet Bojko Borisov i habiti, i la pa gojë të gjithë me deklaratën se kundër jetës së tij po përgatitej një atentat. Sikur, gjoja, ai preku me veprimtarinë e vet interesat e mafies ndërkombëtare. Ja se çfarë thotë në lidhje me këtë Konstantin Simonov:

0- Kjo është një demagogji tipike! Njeriu thjesht nuk mund të pranojë se nuk cënoi aspak interesat e botës së krimit të organizuar, por ato të njerëzve të zakonshëm, se ra viktimë e vendimeve të veta krejtësisht të pamenduara.