0Projekti në fjalë është zhvilluar nga Instituti rus i Astronomisë i Akademisë së Shkencave të Rusisë me kërkesën e Agjencisë Federale Kozmike “Roskozmos”. Ja se çfarë thotë Drejtuesja e Departamentit të astrometrisë kozmike të këtij Instituti Lidia Rihllova:

- Nga pajisjet për zbulimin e objekteve të rrezikshme kozmike ne kemi sot për sot vetëm një teleskop këndgjerë në Irkutsk. Rusia, me territorin e saj të madh, të pamatë, duhet të ketë medoemos 2 ose 3 teleskopë të tillë zbulimi dhe disa më të vegjël për monitorim. Nevojitet gjithashtu një qendër unike, e cila të merret me mbledhjen dhe përpunimin e vëzhgimeve të përftuara gjatë procesit të monitorimit. Ne kemi marrë në konsideratë 3 objektiva në projektimin e sistemit rus të kundërshtimit të rreziqeve kërcënuese kozmike: zbulimin dhe monitorimin, krijimin e një qendre informativo-analitike dhe sistemit të vlerësimit të rreziqeve, që lejon përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë të trupit qiellor.

Sisteme të ngjashme po krijohen mjaft aktivisht tani në SHBA, BE, dhe, me shumë gjasa, në Kinë. Askush nuk dëshiron të varet nga informacioni i dikujt tjetër në lidhje me objektet e rrezikshme kozmike, thotë Lidia Rihllova. Në Rusi në këtë fushë punojnë observatorë të veçantë dhe universitete. Por e gjithë kjo punë bëhet në mënyrë të shpërndarë dhe është ndarë në programe të vogla. Situata është rënduar e komplikuar nga vetë fakti se pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik teleskopët më të mirë mbetën në zonat me ajër të pastër dhe transparent - në malet e republikave të Azisë Qendrore dhe Armenisë.

Do të ishte plotësisht i arsyeshëm bashkimi i shërbimeve të kundërveprimit ndaj kërcënimeve kozmike, që ndodhen në vende të ndryshme, në një sistem të vetëm global, shprehet me bindje shkencëtari rus Andrei Jonin:

- Ky është një problem ndërkombëtar dhe ai duhet të zgjidhet me përpjekje të përbashkëta. Unë mendoj se në përgjithësi në sferën kozmike tashmë ka ardhur koha kur projektet universale ne duhet t’i zgjidhim së bashku. Puna duhet filluar me zgjidhjen e detyrave më të qarta që janë diskutuar prej kohësh, të tilla, si për shembull, rreziku i asteroideve. Kurse pastaj të mendojmë edhe për projekte të tjera në hapësirën kozmike. Mbi fluturimet në thellësitë e pamata të kozmosit dhe eksplorimin e trupave të tjerë qiellorë.

0Në prill të vitit 2013 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizohet Konferenca Ndërkombëtare mbi Mbrojtjen e Tokës, në të cilën do të marrë pjesë edhe delegacioni rus. Siç presupozohet, pjesëmarrësit e forumit do të formulojnë detyrat që kanë të bëjnë me integrimin ndërkombëtar në këtë çështje.