0Pas fluturimit të asteroidit mbi qytetin rus të Çeljabinskut u shprehën shumë kritika në adresë të shkencëtarëve, të cilët nuk mundën të paralajmëronin qasjen e tij. Njerëzimi doli krejtësisht i paaftë për të parashikuar rrezikun kërcënues kozmik. Ky fakt i detyroi një sërë shtetesh që të përshpejtojnë zhvillimin e sistemeve të ndryshme të mbikëqyrjes së hapësirës kozmike. SHBA-ja ka ndërmend të lëshojë në kozmos një teleskop të ri, të vendosë në orbitë një rrjet të tërë satelitësh vëzhgues dhe të krijojë një sistem të plotë monitorimi të kozmosit. Ai do të jetë i bazuar në Hawaii.

Rusia ka në plan të lansojë një projekt alternativ - teleskopin e ri "Megatortor". Siç vuri në dukje Juri Nefedjev, Drejtori i Observatorit Astronomik, i cili mban emrin Engelhardt, pajisja e re do të realizojë njëkohësisht monitorimin me nëntë objekte të posaçme dhe nuk do të lërë pa fokusuar asnjë objekt kozmik:

- I gjithë problemi konsiston në faktin se pajisja apo instrumenti 1-kanalësh mbulon vetëm një pjesë të gjysmë hemisferës së dukshme qiellore. Kurse me ndihmën e teleskopit 9-kanalësh ne do të mund të mbulojmë gjithë gjysmën e hemisferës. Dhe meqenëse ne do të kemi mundësi të vëzhgojmë në të njëjtën kohë gjithë kupën qiellore, atëhere çdo dukuri të shpejtë kalimtare do të mund ta fiksojmë patjetër.

Por efektiviteti maksimal i këtyre pajisjeve mund të arrihet vetëm në qoftë se ato do të bashkohen në një rrjet global tërësor vëzhgimi. Për këtë është mëse i bindur Drejtori i Observatorit të Zvenigorodit, Sergei Barabanov:

- Sisteme të zbulimit, pikasjes së asteroideve ka në Amerikë, në Evropë, ekzistojnë edhe shumë organizata ndërkombëtare. Kina zotëron sistemin e vet të zbulimit të trupave qiellorë. Rusia planifikon të hyjë në një sistem të tillë, por ne nuk do të na pranojnë si të barabartë në të në qoftë se nuk kemi një kapacitet mbikëqyrës tonin. Prandaj ne sot po përpiqemi me të gjitha mënyrat të konstruktojmë teleskopët tanë.

Megjithatë, lufta kundër rrezikut kërcënues të asteroideve nuk do të kufizohet vetëm me sistemet e vëzhgimit, monitorimit. Juri Nefedjev vijon:

- Deri tani po vazhdojnë debatet për këtë. Ekzistojnë disa opsione për shkatërrimin e asteroidit dhe moslejimin e rënies së tij në Tokë. Varianti i parë: hedhja në erë e asteroidit thjesht me ndihmën e një mbushje bërthamore ose në ndonjë mënyrë tjetër. Një skenar i tillë aktualisht nuk mund të merret në konsideratë për vetë faktin se fragmentet e asteroidit të shpërthyer do të shkaktojnë gjithashtu mjaft probleme në Tokë. Varianti i dytë: pranë asteroidit të rrezikshëm pozicionohet një aparat kozmik, i cili me forcën e vet tërheqëse do të ndryshojë orbitën e tij. Kjo do ta bëjë asteroidin të anashkalojë Tokën gjatë fluturimit të vet hapësinor.

0Në të njëjtën kohë Juri Nefedjev vuri në dukje se shkenca bashkëkohore nuk është ende në gjendje për t’i zbatuar këto projekte. Prandaj detyra prioritare sot për sot është krijimi i sistemit të paralajmërimit në kohë të kërcënimeve potenciale që mund të vijnë nga qielli.