0Por ekspertët e "Zëri i Rusisë" argumentojnë se bolidi me siguri të plotë nuk ka të bëjnë në kurrfarë mënyre as me politikën dhe as me armatimet. Ndërkohë që mund t’i bëjë rajonit të Çeljabinskut një reklamë të shkëlqyer.

Në Internetin rus meteori që shpërtheu mbi Çeljabinsk u bë objekti kryesor i shakave të ndryshme. Rrjeti është mbushur plot e përplot me kolazhe dhe karikatura në lidhje me temën e yjeve të rreptë që bien mu në qendrën kryesore të industrisë së mbrojtjes të vendit. Ndërsa rusët e perceptuan me humor rrezikun kërcënues nga kozmosi, mediat botërore, përkundrazi, po përpiqen të fryjnë e të trumbetojnë me të madhe versionin e katastrofës globale. Për shembull, shkencëtarët amerikanë e kanë vlerësuar fuqinë e shpërthimit të bolidit mbi rajonin e Çeljabinskut me 20 bomba atomike. Vlerësimet e fuqisë së shpërthimit janë tejet të ndryshme, - tregon futurologu rus Sergei Moskaljov:

- Deri tani nuk po mund të gjejnë dot as vendin e rënies së meteoritit. Përveç valës së fortë goditëse zanore nuk ndodhi asgjë. Në këtë rast gjithçka përfundoi relativisht mirë. Por duhet menduar se çfarë do të ndodhë nëse meteotiti do të jetë dhjetë herë më i madh dhe do të bjerë në një zonë të populluar dendur, ose mbi ndonjë hidrocentral, rrjedha ujore e të cilit mund të përfshijë mijëra njerëz.

Shi meteor nuk ra vetëm mbi territorin e Rusisë. Bolidet kozmike i kanë parë edhe në Kubë dhe në Kaliforni (SHBA). Një gjeografi e tillë kaq e gjerë ka shkaktuar shumë thashetheme. Disa aludojnë mbi një përpjekje për intervencion, të tjerë për një kontakt të mundshëm me jashtëtokësorët. Kurse shkencëtarët flasin mbi disa fragmente të një trupi qiellor, të cilët kanë fluturuar kaq larg nga njëri-tjetri vetëm për shkak se Toka rrotullohet. Por, megjithatë, ia vlen të merret parasysh e të studiohet çdo version, thekson bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Observatorit rus Pulkovo, Sergei Smirnov:

- Kjo është edhe një tjetër dëshmi se Toka nuk lëviz në një vakum, por në hapësirën e tejmbushur me trupa jo të mëdhenj kozmikë të Sistemit diellor. Është e pamundur të thuhet me siguri të plotë se çfarë ishte kjo: një rrymë, një kometë apo asteroid i lashtë, apo madje fragmente të ndonjë aparati të shkatërruar kozmik që bien nga qielli? Tani për tani po bëhet vetëm grumbullimi i informacionit. Mendoj se duhet të merren në shqyrtim edhe versionet më fantastike.

0Shkencëtarët nuk kanë arritur të gjejnë akoma vetë meteoritin. Sipas një versioni, ai është fundosur në ujërat e liqenit Çebarkul, ndërsa sipas një tjetri - ka rënë diku në pyjet përreth. Në të njëjtën kohë njerëzit e shkathët e me iniciativë arrijnë të shesin copëza të trupit kozmik me një çmim prej disa mijë dollarë për gram. Ndërkohë policia ruse paralajmëron: në shumicën e rasteve për shitje në Internet nuk ofrohen copëza të trupit jashtëtokësor, por guralecë të ngjashëm me to. Hipotezat fantastike që ngrihen mbi Teorinë e konspiracionit universal dhe intervencionin jashtëtokësor mund ta shndërrojnë Çeljabinskun në vendin më misterioz në planet. Dhe në qoftë se agjencitë turistike lokale do të nxitojnë të ofrojnë ekskursione "në gjurmët e meteoritit", atëhere në këtë rajon do të vërshojë një fluks i papërmbajtshëm turistësh.