0Në Shërbimin e sistemit të kontrollit të hapësirës ajrore, gjatë kohës së dezhurnit të tij në natën e 25-26 shtatorit, erdhi njoftimi se SHBA-ja është duke planifikuar një sulm në drejtim të Bashkimit Sovjetik. Nënkoloneli Stanisllav Petrov ia raportoi menjëherë këtë njoftim Komandës supreme, por vetë e gjeti atë të rreme dhe vendosi që të verifikojë funksionimin e sistemit. Më vonë u sqarua se kishte ndodhur një disfunksionim i sistemit dhe se alarmi ishte i rremë. Kujtimet e veta në lidhje me atë ngjarje Stanisllav Petrov i ndau me korrespondentin e “Zërit të Rusisë”.

Ky është për Ju tashmë çmimi i tretë ndërkombëtar. Po me çmime ruse jeni nderuar Ju për këtë akt heroik?

- Ky nuk ishte akt heroik. Kjo ishte puna ime, unë nuk kam bërë asgjë heroike dhe nuk e ndjej veten hero.

Ju keni thënë në një intervistë në vitin 1983 se madje deshën t’ju dekoronin, por nuk e bënë këtë. Përse?

- Në prag të Vitit të Ri 1984 unë u nderova me Urdhërin "Për Shërbimin ndaj Atdheut" të shkallës së tretë, por ai nuk kishte të bënte fare me ato ngjarje. Kjo ishte e lidhur me kalimin e sistemit nga regjimi i dezhurnit testues-luftarak në regjim dezhurni luftarak. Me këtë rast të gjithë njerëzit që kishin marrë pjesë në krijimin e këtij sistemi u nderuan me medalje e dekorata.

Çfarë mund të kishte ndodhur në të vërtetë nëse Ju do të kishit vepruar ndryshe natën e 26 shtatorit?

- Shkëmbimet masive të goditjeve raketore do të thonë se vendi që sulmon i pari do të vdesë 27 minuta më vonë, meqenëse vendi që i nënshtrohet sulmit sapo e pikas këtë lëshon menjëherë raketat e veta.

Po nëqoftëse Ju do të kishit menduar se alarmi ishte i vërtetë, çfarë zhvillimi do të kishin marrë ngjarjet?

- Se çfarë do të kishte ndodhur më tej unë nuk mund ta parashikoj dot. Di vetëm atë që ka ndodhur në të vërtetë.

A mund të lindë një situatë e tillë në ditët tona?

- Kjo është e pamundur për shkak se tashmë janë marrë masat e duhura. Ne llogarisim situatën konkrete dhe kur kjo ndodh, aparatura kozmike e zbulimit e stakon (fik) lëshimin.

Ju doni të thoni se sistemet bashkëkohore të paralajmërimit të hershëm të sulmeve raketore janë praktikisht të përsosura?

- Ndoshta ekzistenca e sistemeve ideale është thjesht një mit. Sisteme ideale nuk ekzistojnë në parim.

Si mund ta përshkruani Ju natën e 26 shtatorit të vitit 1983?

- Më pushtoi një det i tërë emocionesh. Kur një situatë e tillë praktikohej gjatë stërvitjeve trajnuese kjo nuk ishte e papritur, e befasishme për ne. Prandaj edhe pse ulërinte sirena çdo gjë ishte në rregull. Ndërsa atë natë mbizotëronte qetësia, ishte thjesht një situatë e zakonshme pune, dëgjoheshin biseda të qeta, kur papritmas dëgjohet ulërima drithëruese e sirenës - ky ishte tashmë një moment jo për njerëzit me zemër të dobët. Shoku, trullosja, konfuzioni dhe humbja e torruas ishin të tilla, që mund të shndërroheshin fare kollaj në panik. Por unë i mbyta brenda vetes këto ndjesi, nuk i lashë të mbizotërojnë vetëdijen time. Veprova me mendje të kthjellët.