Trupat franceze do të fillojnë të tërhiqen nga Mali brenda disa javëve, deklaroi të mërkurën Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të televizionit francez.

Situata në vend u përkeqësua në fund të vitit të kaluar, kur një grup islamistësh nga veriu i vendit, të lidhur me "Al Qaeda-n", filluan një ofensivë në jug të vendit për të marrë më pas të gjithë territorin e Malisë nën kontroll. Pas kësaj Franca dërgoi trupat e veta ushtarake në Mali për të ndihmuar autoritetet lokale të rimerrnin kontrollin mbi veriun e vendit. Të njëjtën gjë bënë edhe disa shtete afrikane. Si përfundim, rebelët humbën kontrollin ndaj të gjitha qyteteve të mëdha të Mali-së.