Biologët kanë analizuar sinjalet e delfinëve dhe kanë arritur në përfundimin se këta gjitarë i drejtohen njëri-tjetrit me emër. Emri në gjuhën e delfinëve është imitimi i fishkëllimës karakteristike individuale të një gjitari të llojit të vet.

Më parë janë publikuar njoftime që konfirmojnë se të sapolindurit e delfinëve mësojnë shumë shpejt dhe riprodhojnë tingujt e dëgjuar nga nëna e tyre. Në studimin e ri shkencëtarët e zgjeruan ndjeshëm numrin e kafshëve të përfshira në testim, duke arritur deri në 250 syresh.

Sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, gjatë 50 milionë vjetëve të fundit vëllimi i trurit të këtyre gjitarëve është rritur vazhdimisht. Aktualisht, për sa i përket këtij treguesi, këta gjitarë detarë i parakalon vetëm njeriu.